Hoti viziton spitalin e FSK-së: Situata po përkeqësohet, duhet të përgatitemi për të gjitha variantet
Kryeministri Avdullah Hoti, ka vizituar sot spitalin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Prishtinë, ku ka parë nga afër kapacitetet e këtij spitali ushtarak.
“Bashkë me ministrin e Shëndetësisë inspektuam spitalin ushtarak për të parë kapacitetet që FSK-ja do t’i vë në dispozicion të Qendrës Spitalore në rast se do të kemi nevojë që t’i përdorim edhe këto kapacitete”, ka thënë Hoti.
Më tutje, Hoti deklaruar se edhe pse nuk është njeri ushtarak është i impresionuar me disiplinën dhe përgatitjet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe pjesëtarëve të FSK-së, ka bërë me dije se do t’iu ofrojnë ndihmë në ngritjen e kapaciteteve.
“Unë nuk jam shumë njeri ushtarak, por vërtetë jam i impresionuar kur hyjë brenda dhe i emocionuar me disiplinën ushtarake dhe me përgatitjet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së që na bënë krenarë”.
“Duhet t’i qëndrojmë afër Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së për të ngritur edhe më tutje kapacitetet. Do të punojmë bashkë me stafin shëndetësor të FSK-së që të integrohen me ministrinë e Shëndetësisë dhe me Shërbimin Spitalor të Kosovës për të përballuar situatën nëpër të cilën po kalojmë”.
“Situata duket se po përkeqësohet dhe ne duhet të përgatitemi për të gjitha variantet që mund të kemi përpara në javët dhe muajt në vazhdim”, ka thënë ai.