![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2018/03/avdullah-hoti.jpg)
Hoti: Zgjedhjet e raja do ta eliminojnë pasigurinë politike
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria e re do të eliminojë pasigurinë politike, të cilën sipas tij e ka krijuar presidenti Hashim Thaçi, me rastin e propozimit për korrigjim të kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se zgjedhjet e reja do të nxjerrin një Qeveri dhe Kuvend legjitim, që marrin në dorë fatin e vendit.
“Qeveria e re do të eliminojë pasigurinë politike që ka kapluar shtetin e Kosovës dhe ka çorientuar miqtë tanë ndërkombëtar lidhur me atë se çfarë duan qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Hotit:
Qeveria e re do të eliminojë pasigurinë politike që ka krijuar propozimi i presidentit për korrigjim kufijsh
Propozimi kontrovers i presidentit për korrigjim kufijsh i ka dëmtuar në thelb përpjekjet e kahmotshme, tonat dhe të bashkësisë ndërkombëtare, për të krijuar rrethana të favorshme për komunitetin serb që të jetë pjesë aktive dhe e barabartë e jetës institucionale në Kosovës.
Propozimi për korrigjim kufijsh po ndihmon drejtpërdrejt politikën refuzuese të përfaqësuesve politik të komunitetit serb ndaj institucioneve të Kosovës, si dhe po i ushqyen shpresa e tyre se Kosova mund të ndahet dhe një pjesë e saj mund t’i bashkëngjitet Serbisë.
Kaq vite mund, investime dhe punë nga ne dhe miqtë tanë ndërkombëtar tash po dëmtohen nga Presidenti i shtetit, i cili në fakt do të duhej të ishte gardian i rendit kushtetues dhe kundërshtues ndaj ideve të tilla kundërkushtetuese.
Zgjedhjet e reja do të nxjerrin një Qeveri dhe Kuvend legjitim, që marrin në dorë fatin e vendit dhe nuk e lejojnë presidentin të bëjë pazar me shtetësinë e Kosovës.
Qeveria e re do të eliminojë pasigurinë politike që ka kapluar shtetin e Kosovës dhe ka çorientuar miqtë tanë ndërkombëtar lidhur me atë se çfarë duan qytetarët e Kosovës.
Ne mbesim të palëkundur në idealin tonë për një Kosovë demokratike e të pavarur në tërësinë e saj territoriale, të zhvilluar në çdo cep të saj e me mundësi të barabarta për të gjithë pa dallim, të integruar në BE dhe NATO, si dhe në miqësi të përhershme me ShBA-në.
/Epoka e re/