Hoti zhvillon bisedë telefonike me Kurzin, rikonfirmohet përkrahja e Austrisë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një takim virtual me kancelarin federal të Austrisë, Sebastian Kurz, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale politike dhe menaxhimin e pandemisë Covid-19.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hoti ka shkruar se nga kancelari Kurz ka marr konfirmimin se distribuimi i vaksinave për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, do të bëhet në të njëjtën kohë.
Postimi i plotë i Hotit:
Në një takim virtual me Kancelarin Federal të Austrisë, z. Sebastian Kurz, bisedova për zhvillimet aktuale dhe punën e Qeverisë në detyrë, e cila po i kryen të gjitha obligimet në përputhje me ligjet në fuqi dhe me Kushtetutën e vendit.
Kancelarin Kurz e njoftova me masat që ka ndërmarrë Qeveria për minimizimin e pasojave që ka shkaktuar pandemia si në aspektin shëndetësor ashtu edhe në atë ekonomik e social. Nga Kancelari Kurz morra konfirmimin se distribuimi i vaksinave për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, do të bëhet në të njëjtën kohë.
Morra mbështetjen e Kancelarit Kurz për vazhdimin e punës së mirë të Qeverisë, në mirëmbajtjen e kritereve të plotësuara për liberalizim në mënyrë që edhe qytetarët e Kosovës sa më parë të mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.
Me kërkesë time, Kancelari Kurz konfirmoi se Austria do të konsideroj vazhdimin e marrëveshjes për kredi të butë me Kosovën, kryesisht për projekte për furnizim me ujë dhe trajtim të ujërave të zeza.