Houston, afër titullit në Perëndim
Skuadra kampione e Golden State rrezikon të dorëzojë titullin kampion në NBA, pas humbjes 98-94 ndaj Houstonit në finale e 5-të të “play-off”-it në Konferencën e Perëndimit.
Skuadra e Rockets tashmë udhëheq 3-2 serinë e finaleve dhe është një fitore larg titullit kampion në Perëndim, në një ndeshje me rivalitet dhe emocione deri në fund. Një ndeshje me dy pamje, më e mirë për Warriors në pjesën e parë, ndërsa në të dytën loja ishte e ekuilibruar dhe me rivalitet, duke e lënë të hapur emrin e fituesit deri në fund. Për Houstonin u aktivizuan vetëm 7 lojtarë, me Gordon që ishte shënuesi më i mirë, autor i 24 pikëve, ndërsa Paul e mbylli me 20 pikë e Harden me 19 pikë, një trio që bëri diferencën në parket.
Për skuadrën e Golden State u dalluan Durant me 29 pikë, Thompson me 23 e Curry me 22, duke mos arritur dot të evitojnë këtë humbje, që mund t’i kushtojë shumë. Ndeshja e radhës do të luhet në fushën e Warriors, që kanë nevojë për fitore për të mos u eliminuar.