Houston “leksion” kampionëve të Golden State
Mungesa e Stephen Curry vazhdon të ndihet te skuadra kampione e Golden State, që u mposhten 107-86 nga Houstonin në takimin e radhës në NBA, humbja e katërt sezonale për Warriors.
Një ndeshje e dominuar nga vendasit, me James Harden që bëri diferencën në fushë, autor i 27 pikëve, ndërkohë që edhe stoli dha një dorë në këtë triumf, nga ku erdhën 38 pikë. Për mysafirët u dallua Duranti me 20 pikë, por që s’mjaftuan për të evituar humbjen, raporton “Telesport”.
Fiton ekipi i Clippers, që mundi 116-111 San Antonio, një përballje mes dy ekipesh rivale në Perëndim, ndeshje në përgjithësi e dominuar nga vendasit, që në fund rrezikuan disi. Williams me 23 pikë ishte shënuesi më i mirë për vendasit, mbështetur edhe nga Gallinari (19) e Harris (18), ndërsa për Spurs u dallua DeRozan me 34 pikë, por që mbetën për statistikë. Ekipi i Denverit, falë 25 pikëve të Hernangomes, mundi 138-93 Atlanta, ndeshje ku 7 lojtarë të ekipit vendës realizuan mbi 12 pikë.
Rezultatet
Houston – Golden State 107-86
Denver – Atlanta 138-93
Clippers – San Antonio 116-111