Houstoni 9 fitore radhazi, Clippersat ‘leksion’ Bostonit
Skuadra e Houstonit vijon serinë pozitive në NBA, duke mundur 118-106 Charlotte, suksesi i 9-të radhazi në kampionat. Një ndeshje e dominuar nga skuadra teksane, që ngjitet në vendin e tretë në renditje në Perëndim. Hardeni realizoi 28 pikë e 10 asistime, mbështetur edhe nga Gordon me 22 pikë, ndërsa 40 pikët e Walker për miqtë mbetën për statistikë.
Fitojnë edhe Clippersat, që mundën 140-115 Boston, ndeshje ku kalifornianët patën epërsi gjatë gjithë kohës dhe e merituan fitoren. 7 lojtarë të Clippers realizuan mbi 10 pikë, me Lou Williams që realizoi 34 pikë.
Oklahoma, falë 24 pikëve të Schroder dhe 23 të Westbrook, mundi 98-89 Utah Jazz, sfidë ku ekipi i Thunder u shkëput gradualisht nga perioda në periodë. Surprizë fitorja 126-101 e Clevelandit ndaj Torontos, sfidë ku Cavaliers bënë një paraqitje të mirë, raporton “Telesport”.
Sextoni me 28 pikë ishte shënuesi më i mirë për vendasit, duke i bërë të pavlefshme 25 pikët e Leonard për kanadezët. Washingtoni mundi 121-115 Sacramenton, takim ku diferencën në parket e bëri Beal, autor i 27 pikëve, ndërsa Brooklyn mundi 103-75 Detroit, sfidë ku Dinwiddie realizoi 19 pikë, më i miri në fushë.
Rezultatet
Cleveland – Toronto 126-101
Washington – Sacramento 121-115
Brooklyn – Detroit 103-75
Houston – Charlotte 118-106
Utah Jazz – Oklahoma 89-98
Clippers – Boston 140-115