Houstoni bie ndaj Portlandit
U luajtën gjashtë ndeshjet e radhës në NBA e sigurisht sfida që tërhiqte vëmendjen kryesore ishte ajo mes Houston Rocketsit dhe Portland Trail Blazersit, e fituar nga ky i fundit me rezultatin 112-125.
Duel i pazakontë brenda sfidës mes Russell Westbrookut dhe Damian Lillardit. I pari shënoi 39 pikë e kontrolloi 10 topa, por ai që festoi në fund ishte “ylli” i Blazersit, autor i një “triple double”: 36 pikë, 10 “rebounde” e 11 asistime. U nevojit koha shtesë për ta përcaktuar fituesin në përballjen mes Indiana Pacers dhe Chicago Bulls. Në “Life Fieldhouse” të Indianapolisit festuan vendasit me rezultatin 115-106. Paraqitje e mirë e Victor Oladipos, që kthehej mbi parket pas thuajse një viti në radhët e Pacersit. Ndërkohë Kyrie Irvingu fitoi duelin me Derrick Rose, duke ndihmuar Brooklyn Netsin të triumfonte 125-115 ndaj Detroit Pistonsit. 20 pikë, 5 “rebounde” e 5 asiste ishin statistikat e ish-basketbollistit të Cavsit dhe Celticsit. Sa iu përket pikëve më i mirë rezultoi Dinwiddie me 28 pikë.
Memphis Grizzlies dominoi ndaj New York Knicksit me rezultatin 127-106, me një tjetër paraqitje mbresëlënëse të “rookie”-t Ja Morant, që shënoi 18 pikë dhe dha 10 asistime. 120-100 triumfoi Oklahoma City Thunderi në parketin e Sacramento Kingsit, ku spikati Schroederi me 24 pikë e 9 asiste, ndërsa Dort shtoi edhe 23 pikë të tjera për teksanët. Surprizon Utah Jazz, që nuk e konfirmoi formën e mirë përballë skuadrës së San Antonios më të dobët të 23 vjetëve të fundit, duke humbur 127-120 në “AT&T Center”, ku skenën e rrëmbeu DeMar DeRozan me plot 38 pikë.
Rezultatet
Chicago Bulls – Indiana Pacers 106-115
Detroit Pistons – Brooklyn Nets 115-125
Memphis Grizzlies – New York Knicks 127-106
Utah Jazz – San Antonio Spurs 120-127
Houston Rockets – Portland Trail Blazers 112-125
Oklahoma City Thunder – Sacramento Kings 120-100