Houstoni triumfon në shtesë, hap garën për një vend në finalet e “play-off”-it
Për Golden State, gjysmëfinalja e Konferencës së Perëndimit nuk do të jetë aspak e lehte, ndryshe nga sa u duk në dy ndeshjet e para me Houstonin. Në fakt skuadra e Rockets fitoi ndeshjen e tretë me kampionët e NBA në “Toyota Centes” 126-121 në një sfidë që kërkoi kohën shtesë.
Për Warriors, Kevin Durant ishte në një formë të jashtëzakonshme teksa shënoi 46 pikë, por që nuk i mjaftoi skuadrës së drejtuar nga Steve Kerr të regjistronte një tjetër fitore. Gjatë kësaj ndeshjeje, teksanët në disa raste krijuan një avantazh prej 11 pikësh kundrejt Golden State, ndërsa në periodën e tretë kjo diferencë shkoi në 13 pikë. Por 10 pikë të shënuara në 2 minutat e para të periodës së katërt nga Duranti bënë që Golden State jo vetëm të qëndrojë në lojë, por edhe të kërkojë fitoren që me shumë mundësi do të vendoste edhe fatin e serisë së këtyre përballjeve.
Por Houstoni dhe James Harden nuk dëshironte një fund të tillë të gjysmëfinaleve dhe bënë tentativat e tyre ndërkohë që koha e rregullt u mbyll në barazim duke bërë që sfida të kërkojë 5 minutat e shtesës. në këtë fraksion të lojës, Harden shënoi 7 nga 14 pikët e Houstonit duke bërë që skuadra e tij të krijonte një diferencë prej 6 pikësh, ndërkohë që krejt ndeshjen e mbylli me 41 pikë personale. Ndërsa Golden State vuajti apatinë e Stephen Curry në këtë kohë shtesë, nëse ai do të ishte në 100% të formës, rezultati mund të ishte ndryshe.
Për t’u theksuar se Curry gjeti mundësinë edhe për të bërë një figurë të shëmtuar teksa 22 sekonda nga fundi nuk ishte në gjendje të shënonte një kosh të lehtë që do të reduktonte në 3 pikë diferencën me Houstonin e mund të shtonte akoma më shumë emocionet e kësaj sfide në atë kohë të mbetur. Gjithsesi, Golden State vazhdon të kryesojë serinë e sfidave në 2-1, ndërkohë që edhe sfida e 4 do të luhet në Teksas.