Hovenier: Asociacioni duhet të krijohet, përshpejton normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, në një takim me gazetarë në prag të Vitit të Ri ka biseduar për zhvillimet politike që e kanë përcjellë Kosovën përgjatë këtij viti dhe për pritjet e Washingtonit për vitin 2023.
Hovenier e ka thënë shumë prerë se SHBA-ja pret që Kosova të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, jo në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës por në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.
Gjithashtu ka theksuar se SHBA-ja nuk përkrah një Asociacion që do të defunksionalizonte shtetin e Kosovës. Hovenier gjithashtu ka folur edhe për veriun e Republikës së Kosovës duke thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur Kosovën në vitin 2008 me kufijtë ekzistues dhe për Shtëpinë e Bardhë veriu është pjesë e Republikës së Kosovës dhe se Amerika e trajton ashtu.
Pyetja: Vuçiq tha dje se ai ka marrë garanci nga BE dhe SHBA. A mund të na thoni se çfarë janë këto garanci?
Hovenier: Zotimi apo garancion i vetëm që ne e kemi bërë janë publikisht të njohura. Po supozoj se Presidenti Vuçiq i është referuar direkt deklaratës së SHBA-së dhe BE-së të 28 dhjetorit, e cila fliste për eskalimin e tensioneve në veri të Kosovës dhe për perspektivën tonë për situatën. Një thirrje që ne e bëmë për të gjithë që të përmbahen maksimalisht dhe të de-eskalohet situata, e cila përsërit disa nga mirëkuptimet që kemi pasur me lidershipin e Kosovës për çështje të komunitetit serb në Kosovë dhe gjithashtu edhe thirrjen tonë për Kosovën dhe Serbinë që të rikthehen në sigurimin e ambientit drejt pajtimit dhe bashkëpunimit e stabilitetit rajonal. Edhe ju jeni po aq të njohur sa unë me çfarëdo zotimi që ne e kemi bërë për cilëndo palë.
Pyetje: A besoni se kjo do të përshpejtojë procesin e bisedimeve pas vitit të ri?
Hovenier: Unë sinqerisht besoj në këtë dhe ky është qëllimi ynë dhe i BE-së. Askush nga ne nuk ka shpresuar të shoh një numër të çështjeve emergjente që kanë ndodhur, që sipas perspektivës tonë e kanë penguar pak rrugën për gjëra me rëndësi. Ne jemi të përkushtuar të punojmë drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim marrëdhëniesh që ka në qendër njohjen e ndërsjellë. Ne besojmë që mënyra më e mirë përpara është që me urgjencë të diskutohet për propozimin e BE-së, që përkrahet nga Franca dhe Gjermania, që SHBA e përkrahë plotësisht. Ky kontribuon drejt në arritjen e një marrëveshje në disa çështje me rëndësi ndërmjet dy shteteve. Por, ato për çka Miroslav Lajçak së fundmi ka folur në një intervistë është se janë disa kriza së fundmi që e kanë bërë të vështirë që të fokusohemi në këtë qëllim më të gjerë strategjik por ne shpresojmë shumë se në vitin e ri do të ketë vazhdim të këtyre bisedimeve dhe do të punojmë drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse.
Pyetje: Kemi dëgjuar së fundmi shumë zhgënjim nga SHBA-ja drejtuar institucioneve të Kosovës, kryesisht mënyra si është menaxhuar situata në veri. A ka dëmtuar në ndonjë formë kjo raportet Kosovë – SHBA dhe si ishte të negocionit me Kurtin që të tërhiqet nga vendimi për targat? Në këtë aspekt, mund të jeni në dijeni se ai ka thënë që keni pasur ju më shumë informacione se ai prandaj ka vendosur kështu, a pajtoheni me ketë?
Hovenier: Kishte deklarata specifike nga zyrtarë amerikanë jo në javët e fundit por më herët që shprehnin shqetësim për pozicionet e Qeverisë së Kosovës. Ne ndajmë objektivat e njëjta strategjike, ne duam ta shohim Kosovën në Bashkimin Evropian dhe organizatat euro-atlantike, duam të shohim progres në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Në disa raste, nuk jemi pajtuar, jo në objektivat strategjike por në taktikat që të mbërrijmë atje dhe mendoj se çështja e targave ishte një shembull i qartë i kësaj. Ne e kemi pranuar të drejtën e Kosovës që njerëzit që jetojnë në Kosovë, do të kenë tabela të Kosovës. Por, nuk u pajtuam në mënyrën dhe kohën për ta zbatuar këtë dhe kjo rezultoi në shprehjen e një zhgënjimi sepse e gjetëm veten në një situatë, ku gjërat sipas perspektivës të Qeverisë amerikane dhe partnerëve tanë, që nuk do të duhej të bëheshin pika ndezëse u bën potencialisht të tilla. A i ka dëmtuar kjo raportet tona? Nuk besoj kështu, as institucionalisht e as privatisht. Unë kam raporte bashkëpunuese dhe besoj të respektit të ndërsjellë si me kryeministrin Albin Kurti ashtu edhe me Presidenten Osmani. SHBA-ja është përkrahëse e objektiva të afatgjate të Kosovës siç ka qenë gjithmonë. Ne me siguri ende do të kemi disa dallime në mënyrat taktike se si t’i arrijmë rezultatet e njëjta. Më duhet të nënvizoj se prioriteti ynë dhe besoj edhe i Qeverisë së Kosovës është që të punojmë në një ambient ku nuk kemi kriza ose pika ndezëse që krijojnë një situatë ku ajo bëhet agjenda në vend të agjendës me rëndësi dhe strategjike për normalizim të raporteve me Serbinë dhe ne do të punojmë fuqishëm që të shtyjmë këtë përpara herët në vitin e ri.
Pyetje: Bazuar në gjitha veprimet e Qeverisë Kurti për situatën në veri, a e keni këshilluar që të mos ngutet me ato veprime, përfshirë targat ose zgjedhjet
Hovenier: Do të thoja se këshilla ime për Qeverinë e Kosovës është çështje publike. Ne nuk kemi mesazhe sekrete për ta që dallojnë nga ato që i themi publikisht. Nuk është sekret që ne kemi dashur më shumë kohë në zbatimin e vendimit për gjobitje për personat që nuk i kanë ndryshuar targat. Por jemi përtej kësaj tani. Më duhet t’i potencoj disa hapa që i ka bërë Qeveria e Kosovës. Përderisa ne kishim një pikëpamje tjetër të afatit për targat, përfundimisht Qeveria e Kosovës, edhe pse më vonë, por megjithatë u pajtua me atë. Në këtë pikë, Qeveria nuk gjobit njerëzit që nuk i kanë ndryshuar targat dhe as nuk jep vërejtje dhe kjo ishte një përpjekje për të de-eskaluar situatën. Kur barrikadat ndodhën, që ishte një gjë shumë e vështirë dhe SHBA-ja dha një deklaratë jashtëzakonisht të fuqishme, duke iu referuar ashtu siç janë, që ata të cilët kanë vendosur barrikada ilegale në rrugë duhet t’i largojnë ato menjëherë. Ne kemi qenë të qartë për këtë. Gjithashtu, i kemi thënë Qeverisë privatisht dhe publikisht se duam durim, se lëvizja shumë e shpejtë dhe në mënyrë të njëanshme do të komplikonte situatën më shumë se sa ta përmirësonte. Qeveria e dëgjoi këtë. Nga perspektiva jonë kryeministri Kurti dhe Qeveria treguan për durimin që kemi kërkuar derisa ishim duke e zgjidhur këtë. Ne donim një zgjidhje politike për këtë. Kolegu im në Beograd, Ambasadori Hill ishte i qartë në këtë dhe ka të drejtë. Dhe përfundimisht një zgjidhje politike u gjend. U nevojit durim, punë të vështirë por u arrit dhe mendoj se të gjithë mund të pajtohemi se mënyra si janë larguar barrikadat, me disa përjashtime sot, është shumë më e preferueshme sesa përdorimi i forcës që do të mund të rezultonte me njerëz të lënduar ose larg qoftë të vriten. Kështu, unë do të them se ka pasur përgjigje nga Qeveria e Kosovës për disa shqetësime tona dhe ka pasur gjithashtu edhe disa momente që kemi pasur qëndrime shumë të ndryshme për mënyrat më të mira për disa nga këto çështje.
Pyetje: Z.Ambasador, nëse nuk gaboj dy javë më parë përfaqësuesi special Gabriel Escobar në N1 tha që nëse Kosova nuk pranon që të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe do të gjejnë një mënyrë për të krijuar atë pa Qeverinë e Kosovës. Si do të jetë e mundur diçka e tillë?
Hovenier: Më lejoni që të rithem që ai (Escobar) diçka e ka thënë shumë qartë dhe që unë e kam thënë shumë qartë. Mbetet një qëndrim i qartë politik i SHBA-së. Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe s’ka alternativë. Është një marrëveshje ligjërisht e obligueshme të cilën Kosova e ka marrë përsipër. Një marrëveshje ligjërisht e obligueshme që është konfirmuar nga Kuvendi i Kosovës. Shtetet nuk mund të vendosin se çfarë marrëveshje ligjërisht të obligueshme e implementojnë apo s’e implementojnë. Ato janë marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Kosova është një shtet që ndjek zbatimin e Ligjit. Kështu që pritja jonë është që Kosova e implementon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ne gjithashtu besojmë fuqishëm që është edhe në interesin e Kosovës që ta bëjë një gjë të tillë. Ky është një element i rëndësishëm kësaj përpjekjes së gjerë për të përshpejtuar normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por pa marrë parasysh Serbinë, kjo është një gjë shumë e rëndësishme për Kosovën. Serbët e Kosovës janë qytetarë të Kosovës, banorë të Kosovës, ata gëzojnë të drejtat në Kosovë, ata duhet të marrin të drejtat dhe mbrojtjen nga shtetit sikur të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ata kanë shprehur shqetësimet e tyre që ata besojnë se shteti nuk është plotësisht duke iu përgjigjur shqetësimeve të tyre, apo nuk është duke i adresuar shqetësimet e tyre. Ata kanë folur për rëndësinë e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si një indikator i gatishmërisë së institucioneve për t’iu përgjigjur atyre.
Duke e implementuar këtë, duke lëvizur përpara me këtë, shteti jo vetëm që po e plotëson një obligim që ka, por gjithashtu po ndihmon vendin për të qenë më i fortë dhe më mirë. Një Kosovë multietnike ku të gjithë qytetarët ndjehen që marrin mbrojtjen dhe të drejtat. Ne amerikanët jemi shumë më të fortë si rezultat i diversitetit tonë.
Të kthehem tek ajo që kolegu Gabriel Escobar ka thënë. Ne jemi shumë shumë serioz ta shohim që kjo çështje ecë përpara. Ne do të flasim me të gjithë për këtë me të gjithë hisedarët për këtë, kjo sigurisht përfshinë Qeverinë. Por edhe hisedarë të tjerë, ka parti opozitare, OJQ. Ka individë të interesuar. Të gjithë ata që kanë diçka për të thënë.
Diçka të fundit që dua ta them për të cilën njerëzit duhet të risigurohen.
Ne jemi gjithashtu në dijeni për shqetësimet që Asociacioni mund të keqpërdorët në mënyra të ndryshme apo të krijojë një nivel të tretë të qeverisjes të krijoj defunksionalizim. Në nuk e mbështesim diçka të tillë dhe kjo s’është e re në pozicionin e SHBA-së.
Çfarë i kemi thënë Qeverisë shumë qartë është që ne besojmë se Asociacioni duhet të shkojë përpara. Por nuk duhet të bëhet në një mënyrë që është kundër me Kushtetutën aktuale të Kosovës, apo nuk duhet të bëhet në kundërshtim me vendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese.
Ne besojmë që nën këto dispozita ka shumë hapësirë që Asociacioni të bëhet dhe të funksionojë dhe të adresojë të gjitha shqetësimet e serbëve etnikë në Kosovë. Në shëndetësi dhe arsim në mënyrë specifike.
Kjo është çfarë kolegu im ka thënë unë po e përsëris. Por dua të jem shumë i qartë që ky është një prioritet shumë i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pyetje: A keni marrë ndonjë garanci jo-zyrtare nga ndonjë prej institucioneve e Kosovës që do të krijojmë Asociacionit për të marrë diçka tjetër në dialog?
Hovenier: Çfarë mund të them është që Asociacioni mbetet pjesë aktive e dialogut tonë me Qeverinë e Kosovës. Unë mund të them që brenda ideve për normalizim është një nevojë për të diskutuar çfarë unë do ta quaja obligimet dhe garancitë për komunitetet jo shumicë dhe kjo është pjesë e bisedimeve tona me Qeverinë.
Pyetje: Në qëndrimin e përbashkët që keni pasur bashke me BE-në ju mirëpritet faktin që Kosova s’ka listë që kanë qenë në barrikada. Ndërkohë në paragrafin tjetër ju keni kërkuar që të respektohet rendi dhe ligji. Pse nuk duhet të arrestohet çdo kush që në një mënyrë ka bllokuar ndoshta 10 % të territorit dhe ka vendosur në rrezik jetët e njerëzve në veri?
Hovenier: Pyetja se çfarë duhet të ndiqet për hetime kriminale dhe veprime është vendim i autoriteteve të Kosovës. Çfarë ne kemi thënë në qëndrim, se mirëpresim siguritë e liderëve të Kosovës që konfirmojnë, dhe do të lë që fjalët të flasin vetë, që s’ka listë të qytetarëve serbë që do të arrestohen apo ndiqen për protestë paqësorë/ ekzistimin e barrikadave. Dhe fjalia tjetër në të njëjtën kohë thotë që rendi dhe ligji duhet të respektohet. Dhe çfarëdo forme e dhunës është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet.
Më lejo të të japë një skenar. Dikush është duke protestuar, një protestë e madhe në barrikadat e Rudares. Mirëkuptimi ynë është që Qeveria e Kosovës nuk e konsideron atë aksion si krim. Dhe nuk do të ndiqet askush për protestim dhe pse është prezent.
Ta japë një shembull tjetër. Dikush është duke protestuar tek barrikadat dhe gjuan me armë drejt policëve dhe gjuan me shok bombë diçka e tillë. Ky është një krim. E kemi thënë qartë që ligji duhet të respektohet dhe çfarëdo forme e dhunës është e papranueshme. Mendoj që kemi dhënë një dallim të madh të asaj se çfarë është një protestë paqësore dhe aktivitet kriminal.
Pyetje: Do të ktheheshim tek Asociacioni. Dua t’iu pyes se po hyjmë në një krizë të re në Kosovë me çështjen Asociacionit duke parë se çfarë ka ndodhur në gjashtë muajt e fundit kur bëhet fjalë për disa marrëveshje teknike. A do të shohim përsëris një kokëfortësi të Qeverisë së Kosovës , a keni qenë të qartë me ta?
Hovenier: Unë s’mund të flasë se cili do të jetë qëndrimi i Qeverisë për këtë. Është vendim që ata duhet ta marrin. Unë mund shpreh pritshmëritë tona janë dhe partnerët tonë po bëjnë më të mirën për të mbështetur Kosovën në trajektoren për të vazhduar për të marrë vendin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike dhe për të arritur një marrëveshje për normalizim me Serbinë. Çfarë do të thosha është që po shikojmë drejt të ardhmes. Kjo është një pjesë e rëndësishme në agjendë.
SHBA do të bëjë përpjekjen për të mbështetur arritjen e këtyre synimeve strategjike, gjithashtu edhe partnerët tonë, edhe ndërmjetësuesit e BE-së por do të varet shumë edhe nga negociatorët. Ne shpresojmë që do të ketë edhe vullnet politik.
Ne besojmë që këto çështje mund të zgjidhen përmes këtij procesi politik dhe duam që kjo të ndodhë.
Pyetje: A doni që Asociacioni të zgjidhet brenda marrëveshjes gjithëpërfshirëse apo do të ketë negociata të veçanta që çështja e Asociacionit të zgjidhet?
Hovenier: Të gjitha qëndrimet tona kanë qenë që kjo diskutohet brenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Kjo është çfarë themi aktualisht dhe besoj që do të vazhdojmë të themi.
Pyetje: A ka ndonjë afat. Sepse është thënë që Marsi 2023 do të jetë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. A ka SHBA-ja ndonjë afat për marrëveshjen?
Hovenier: Një gjë që duhet të rikujtojmë është që ne nuk drejtojmë në këto negociata, nuk marrim pjesë në këto negociata dhe s’jemi as ndërmjetësues. Është dialog i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ka mbështetjen tonë të fortë dhe mendoj që çdo kush që ka kushtuar vëmendje në zhvillimet e fundit ka mundur të shoh se indikiacionet se sa i fortë ka qenë mbështetja jonë duke përfshirë shumë orë nga koha ime personale në muajt e fundit.
Por pyetja për afatet iu përket ndërmjetësuesve të BE-së. Lajcak ka bërë disa komente ku shpreh shpresën e tij për Marsin 2023 . Unë s’kam diçka më shumë për të thënë. Ajo çfarë mund të them është që SHBA-ja beson që kjo është një çështje urgjente dhe shumë e rëndësishme dhe do të bëjmë gjithçka që kjo punë të avancojë në mënyrën sa më efektive.
Dua të them edhe një gjë të rëndësishme që është relevante në kontekstin e pyetjeve që keni bërë. Ky është një pozicioni i SHBA-së që s’është i ri. Kur e kemi njohur Kosovën si shtet të pavarur në vitin 2008 e kemi bërë me kufijtë ekzistues. Dhe dua të përsëris këtë. Dua të sigurohem që njerëzit ta kuptojnë që nga perspektiva jonë veriu i Kosovës ka konsideratë më te veçantë, është pjesë e Republikës së Kosovës dhe ne e trajtojmë ashtu.
Dua që ta theksoj këtë sepse ka pyetje të shumta për veriun e Kosovës. Unë dua t’iu siguroj që pozicioni i SHBA-së është shumë i qartë , është pjesë e territorit të Republikës së Kosovës, e konsiderojmë ashtu dhe e trajtojmë ashtu.
Duke e pranuar që punojmë shumë ngushtë me partnerët ndërkombëtar, KFOR-in dhe EULEX-in dhe tjerët për nevojën e vëmendjes dhe përkushtimit dhe marrjes së veprimeve të veçanta për t’u siguruar se qytetarët e Kosovës dhe ata që jetojnë në veri të Kosovës së bashku marrin garanci dhe mbrojtje nga shteti. Por është pjesë e Republikës së Kosovës.