Hovenier: Asociacioni nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të enjten se draft-statuti që i është propozuar Kosovës për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përmbush të gjitha kriteret që i parashohin Shtetet e Bashkuara për të.
“Duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese. Duhet të jetë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk duhet të ketë nivel shtesë të pushtetit. Ne besojmë se ky draft, që i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, i përmbush të gjitha këto kritere, dhe besojmë se është shkruar në një mënyrë që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.
Hovenier ka thënë para medieve se, megjithatë, fjalën e fundit për këtë draft duhet ta japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe një prej dispozitave të draftit është se ai do të analizohet nga kjo gjykatë.
Për Hovenierin “e gjithë histeria lidhur me kushtetutshmërinë, nuk na duket me vend, sepse është bërë punë me kujdes në hartim të draftit”.
I pyetur pse drafti nuk është bërë publik, ai ka thënë se nuk ka asgjë sekrete, mirëpo këto janë vetëm çështje diplomatike në të mirë të procesit.
“Jam habitur me numrin e njerëzve që e kanë interpretuar një draft-statut që nuk e kanë parë. Është trik goxha mbresëlënës. Në fund të ditës, ata që nuk e kanë parë dokumentin, nuk kanë shumë bazë të komentojnë mbi të”, ka thënë ai.