Hovenier: Bashkë me Power ia përsëritëm sot Kurtit nevojën e themelimit të Asociacionit
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka njoftuar për takimin e tij me kryeministrin Kurti bashkë me zyrtaren e lartë të USAID-it, Samantha Power.
Hovenier, takimin me Power te zyra e Kryeministrit Kurti e vlerësoi si të frytshëm, dhe tha se u ndjen të inkurajuar nga lëvizja para e Kosovës me theks në fushën e luftimit të korrupsionit dhe sundimit të ligjit, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai tha se në takim theksuan edhe njëherë nevojën e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si mënyrë për t’i përmbushur të gjitha obligimet që parasheh marrëveshja.
“Bisedë e frytshme me administratoren e USAID dhe kryeministrin Albin Kurti. Të inkurajuar që pamë ecjen e pandalur të Kosovës përpara, veçanërisht luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit. Ne përsëritëm rëndësinë e implementimit të plotë të marrëveshjeve të Dialogut, përfshirë themelimin e AKS-së”, ka shkruar Hovenier.
Fruitful conversation with Administrator @PowerUSAID and PM @AlbinKurti. Encouraged to see Kosovo’s continued forward movement, especially anti-corruption & rule of law. We reiterated the importance of full implementation of Dialogue agreements, including on establishing the ASM. https://t.co/3rRRMRceOb
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) May 12, 2023
Përpos kësaj, Power shkroi se me kryeministrin Kurti foli edhe për marrëdhëniet e Kosovës me USAID-in në fushën e energjisë.
Zyrtarja amerikane erdhi në Kosovë pas vizitës që pati në Serbi, me qëllimin që t’ua përcjell të dy palëve mesazhin e presidentit të ShBA-ve, Joe Biden, se po e përcjell nga afër dhe e mbështet marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve.
Nesër, Power do të pritet edhe nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.