
Hovenier e Kurti nënshkruajnë marrëveshje për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar
Qeveria e Kosovës dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar të enjten marrëveshje mbi masat e sigurisë me qëllim të mbrojtjes së informacionit të klasifikuar.
Marrëveshja u nënshkrua nga ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier dhe kryeministri Albin Kurti.
Me këtë rast kryeministri Kurti ka thënë se marrëveshja parasheh veprimet e të dy palëve në raport me informacionin e humbur, mënyrën e asgjësimit të informacionit të klasifikuar, e ndarjes së tij në raport me palët e autorizuara. “Koncepti i sigurisë kombëtare është udhërrëfyes i qeverisjes së përgjithshme. Qeveria e ka për detyrë të sigurohet që qytetarët janë të mbrojtur, dhe një gjë e tillë e bën përmes veprimeve të mençura politike, ekonomike, diplomatike e ushtarake”, ka thënë Kurti, raporton Ekonomia Online.
Ai ka theksuar se siguria kombëtare është e drejtë dhe nevojë.
“Ajo përkthehet në vullnetin dhe obligimin e qeverisë të merr vendime me të cilat garanton pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit, detyrë kjo e cila kërkon jo rrallë ruajtjen e informacionit si konfidencial. Mbrojta e atillë e informacionit parashihet me ligi dhe siguron mbrojtje përderisa interesi kombëtar dikton një gjë të tillë. Prandaj sot, së bashku me ambasadorin Hovenier u dakorduam që informacioni i kategorizuar si i tillë do ruhet ashtu siç e parasheh legjislacioni nacional dhe nuk do zbulohet përveç ndaj atyre që posedon certifikatë të sigurisë, pa marrë parasysh pozitën apo titullin që personi i interesuar në informacion të klasifikuar gëzon”, ka deklaruar Kurti.