Hovenier falënderon Kasanof për vizitën në Kosovë, përmbledh takimet dhe diskutimet që zhvilloi Emisari këto dy ditë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka falenderuar Emisarin e ShBA’së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, për vizitën dy ditore që zhvilloi në Kosovë.
Hovenier ka publikuar një kolazh me fotografi të takimeve që kanë zhvilluar bashkë me Kasanof këto dy ditë, si me Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti, liderët opozitarë e njerëz nga bota e medias, shoqërisë civile dhe biznesit, shkruan Reporteri.net.
“Diskutime të rëndësishme me liderët dhe partnerët në qeveri, media, shoqërinë civile dhe biznesin se si të përmirësohet bashkëpunimi konstruktiv dhe të avancohet trajektorja evropiane e Kosovës, prosperiteti dhe siguria”, ka shkruar Hovenier.
Thanks to DAS Kasanof for his visit to Kosovo. Important discussions with leaders and partners in government, media, civil society, and business on how to enhance constructive cooperation and advance Kosovo’s European trajectory, prosperity and security. pic.twitter.com/ewrEVcQgL5
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) October 11, 2024
“Në takimet e mia me presidenten dhe kryeministrin kam përsëritur dëshirën tonë për një partneritet më efektiv”, tha Kasanof.
“Gjithashtu, jam shprehur i kënaqur me rifillimin e qarkullimit të mallrave [nga Serbia në Kosovë] dhe që Kosova ka arritur të marrë vendin e saj në CEFTA dhe në Procesin e Berlinit”, shtoi zyrtari i lartë amerikan.
Kasanof theksoi, po ashtu, se Shtetet e Bashkuara “mbeten mbështetëse të fuqishme të popullit të Kosovës dhe të vendit demokratik, sovran dhe multietnik”.
“Ne vazhdojmë të mbështesim edhe integrimin euroatlantik të Kosovës, si dhe integrimin në strukturat evropiane, sidomos në kohën kur shohim aq ndryshime në Evropë. Mendojmë se ky vazhdon të jetë vendi i duhur për Kosovën. Kjo është diçka që ne duam ta avancojmë dhe duam të punojmë me Kosovën”, tha Kasanof.
Sipas tij, SHBA-ja pret që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin të gjitha angazhimet që kanë marrë përsipër në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, si dhe me marrëveshjet e arritura në kuadër të tij.
Kjo, siç tha ai, përfshin edhe dërgimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të vendit.