Hovenier i bindur: Drafti i Asociacionit në përputhje me Kushtetutën, Gjykata mund ta vërtetoj
Në intervistën ekskluzive të dhënë për emisionin “Politiko”, me gazetarin Kushtrim Sadiku, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke e potencuar që ai duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e tanishme të Kosovës, dhe duhet të jetë në përputhje me vendimin ekzistues të Gjykatës Kushtetuese dhe duhet të përputhet me letrën e Mogherinit, që thotë se nuk ka autoritete ekzekutive.
“Sipas këndvështrimit tonë, duhet të jetë në përputhje me editorialin dhe qëndrimin që ShBA-ja e shprehu përmes Derek Chollet, këshilltarit të Departamentit të Shtetit dhe Gabriel Escobar, të Dërguarit tonë të posaçëm, që parashtruan vizionin tonë për këtë”, tha Hovenier.
Sipas tij ky draft-statut e bën atë. Ai i lejon Kosovës që të ecë përpara, i adreson shqetësimet legjitime të komunitetit etnik serb për të pasur mundësi që të ushtrojnë më mirë të drejtat që kanë sipas Kushtetutës së Kosovës dhe sipas Ahtisaarit.
“Pika a fundit: a është në përputhje me Kushtetutën? Ne besojmë se po, besojmë se është në përputhje të fortë. Por, do të theksoj gjithashtu se edhe ne e pranojmë dhe një nga elementët e saj është organi përfundimtar për të përcaktuar kushtetutshmërinë e çdo gjëje në Kosovë është vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Dhe draft-statuti ka modalitete në të për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të jetë në gjendje ta miratojë edhe atë vendim”, ka thënë ambasadori për Politiko.
Duke komentuar shqetësimet e partive dhe figurave politike në Kosovë, Hovenier ka deklaruar se vet e ka thënë zyrtarisht shumë herë se çka nuk duam është një entitet tjetër i ngjashëm me Republikën Srpska në Kosovë.
“Ne besojmë se ky draft-statut e shmang një gjë të tillë. Ne besojmë se përputhet me Kushtetutën e Kosovës. Ua mundëson komunave me shumicë serbe në Kosovë që të punojnë së bashku për të ushtruar përgjegjësitë dhe autoritetin që e kanë, por në një mënyrë që respekton Kushtetutën e tashme të Kosovës. Pra, kjo është përgjigja ime për ata që e shprehin këtë shqetësim: pajtohemi se ky është shqetësim, por besojmë se këto shqetësime janë trajtuar në këtë draft-statut”, tha ambasadori Hovenier. /Gazeta10/