Hovenier: Kjo ishte këshilla jonë për zgjedhjet në veri
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka treguar të mërkurën se u ka ofruar këshilla autoriteteve e Kosovës, me theks të veçantë presidentes Vjosa Osmani, rreth zgjedhjeve lokale të mbajtura më 23 prill në katër komunat veriore.
Ai tha se kanë biseduar me të gjitha palët e interesuara dhe me të gjithë hisedarët në këtë proces për këtë temë.
Sipas tij, këshilla amerikane për Listën Serbe dhe përfaqësuesit e tjerë serbë, ishte që të marrin pjesë në këto zgjedhje. Megjithatë ato nuk morën dhe bojkotuan procesin zgjedhor.
“Bëni më të mirën që të jeni në pozitë të përfaqësoni më së miri komunitetin tuaj. Nuk ishte e domosdoshme të merrej ajo këshillë, por kjo ishte këshilla jonë. Nuk ishte vetëm këshillë amerikane, por edhe e të gjithë partnerëve tanë”, tha ai, teksa foli edhe për bisedat me presidenten Osmani.
Bisedat me shefin e shtetit, Hovenier i ka quajtur diplomatike. Theksoi se këshilla e ShBA-së ishte “se si do të zhvilloheshin këto zgjedhje lokale në veri?”.
“Dhe duke hyrë në specifika për rekomandimet e mia për presidenten Osmani, më duhet të them se ajo ishte një bisedë diplomatike e privilegjuar, por unë gjithashtu mund të them se gjatë gjithë kohës, këshilla jonë ishte: mendoni se si do të zhvillohen ato dhe mendoni se si do të mund me kujdes të respektoni kornizën ligjore që Kosova kërkon duke siguruar se ju po dërgoni sinjale për të gjithë këta qytetarë, në veçanti në rastin e komunave në veri ku serbët etnikë kanë shprehur shqetësime për situatën, se jeni të vëmendshëm dhe e kuptoni se doni të jeni të vëmendshëm ndaj këtyre shqetësimeve”, tha ai në RTV 21.
Mes tjerash, Hovenier u pyet nëse kryetarët e sapozgjedhur për katër kryetarët veriorë janë teknikë apo politikë.
“Njerëzit më pyesin shumë për këtë: teknikë vs. politikë, por çka dëshiroja të them – gjithashtu mund ta themi politikë vs. administrativë – por çka dëshiroja të them dhe çka ende dëshiroj të them është: mendoj se asnjë nga kryetarët nuk duhet të besojë, me një numër i vogël i votuesve me të drejtë vote ka votuar, në njërën ose mënyrën tjetër, se ata kanë mandat të bëjnë ndryshime të mëdha, se kanë mandat të ndërmarrin një numër nismash, në veçanti nisma që do të ishin shqetësuese për një pjese të një komuniteti”, tha ai.
Ai theksoi se disa nga sinjalet e para janë se duket që kryetarët e zgjedhur në veri e kuptojnë se duhet të provojnë të kenë një administrim komunal e që thotë se është multietnik.
“Atë që po provojmë të nxjerrim kur themi teknikë ose administrativ është kjo: shërbejini qytetarëve tuaj. Ligji i Kosovës kërkon që të ketë kryetar, Ministria e Financave duhet të ketë një partner, Qeveria qendrore duhet të ketë një zyrtar që të kryej funksione të caktuara që të dërgojë para, të bëjë mbështetjen programore, pra bëjeni këtë, përkujdesuni për qytetarët tuaj por bëjeni në një mënyrë që nuk e krijon kundërthënie ose që shkakton tensione. Por më parë bëjuni një burim i zvogëlimit të tensioneve. Dhe disa nga sinjalet e para janë se duket që kryetarët e zgjedhur e kuptojnë se duhet të provojnë të kenë një administrim komunal që është multietnik, që përfaqësojnë përbërjen e komunës. Ky është sinjali i drejtë të cilën ne po e kërkojmë”.
Pritjet e tij tha se janë kur të zbatohet Marrëveshja e Ohrit e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së dhe monitorimin e ShBA-së.
“Mendoj se kjo është më shumë një çështje për zyrtarët e Kosovës dhe ligjin e Kosovës. Por do ta them këtë: deri sa po punojmë për çështjet me prioritet për të arritur një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe që është një hap jetik përpara në procesin e zbatimit të marrëveshjes bazë dhe të aneksit të pajtuar në Ohër, pritjet tona do të jenë se kur ta kemi arritur një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe dhe kur të kenë ndryshuar kushtet në terren, ne gjithashtu shpresojmë se do të ketë një pranim politik për nevojën për përfaqësues të zgjedhur politikë që njëmend do të përfaqësojnë popullatën – përfshirë edhe në mënyrat që nuk janë pasqyruar me vetëm 4 për qind të popullatës që kanë dalur në votime, do të përfaqësojnë këto komunitete”.