Hovenier: Kosova dhe Serbia të përqendrohen në njohjen eventuale reciproke
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet që kanë nënshkruar përmes procesit të dialogut.
Hovenier ka thënë se kjo përfshinë edhe përparimin drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Më tutje, ai ka thënë se e mbështesin dialogun e lehtësuar nga BE-ja, teksa ka shtuar se “jemi të inkurajuar që edhe Serbia edhe Kosova e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së”.
“Ne mbështesim fuqimisht propozimin e BE-së që është në tryezë. Pritshmëria jonë është që të dy liderët ta çojnë përpara këtë propozim në takimin e tyre të ardhshëm”.
“Nëpërmjet dialogut, Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara duhet të përqendrohen në njohjen eventuale reciproke. Progresi në dialog do të hapë derën e integrimit evropian dhe është thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Hovenier për “Klan Kosovën”.
Hovenier ka inkurajuar serbët e Kosovës që të kthehen sa më shpejt në institucionet e Kosovës për të përmirësuar sigurinë dhe stabilitetin për të gjithë qytetarët.