Hovenier: Kurti të ndërmarrë hapa për shtensionimin e situatës
Përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it në Kosovë – SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Gjermanisë dhe Francës – kërkuan nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që të ndërmarrë hapa që do të çonin në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, i cili mori pjesë në takim, tha se “ka një marrëveshje se shtensionimi i situatës duhet të ndodhë, por nuk e di se si do të ndodhë”.
“Ne besojmë se nuk është e nevojshme që kryetarët e zgjedhur [të komunave në veri] të punojnë çdo ditë në ndërtesat komunale. Për një afat të shkurtër, ne rekomandojmë që kjo të mos bëhet”, tha Hovenier.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka qenë në gjendje të gjejë mënyra që kryetarët të betohen në ndërtesa alternative dhe ta shmangin konfliktin.
Një qasje e tillë, shtoi Hovenier, do të duhej të aplikohej edhe për punën e tyre. Ai nuk pranoi të thotë nëse Kurti e ka pranuar këtë rekomandim ose jo.
“Jemi të shqetësuar për zhvillimet e vazhdueshme atje dhe i kërkuam kryeministrit të ndërmarrë disa hapa për të siguruar që të arrihet de-përshkallëzimi”, tha ai.
Pak më vonë, ambasadori amerikan shkroi në një mesazh në Twitter se “SHBA-të dënojnë fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve sot në Zveçan, përfshirë përdorimin e eksplozivëve, kundër pjesëtarëve të KFOR-it”.
“Ne përsërisim thirrjen tonë për një ndalim të menjëhershëm të dhunës ose veprimeve që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, tha Hovenier.
Që nga mëngjesi i 29 majit, grupe të serbëve kanë protestuar në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit serbë, të tubuar para ndërtesës së komunës së Zveçanit. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk ishin të pranishëm në momentin e ndërhyrjes në Zveçan.