Hovenier për planin e BE-së: Nuk ka marrëveshje më të mirë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se plani i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi sjell përfitime reale, praktike, politike dhe ekonomike.
Ai kujtoi se palët e kanë pranuar atë dhe tha se për zbatimin e tij do të diskutohet në fundjavë.
“Më duhet të jem i qartë, SHBA-ja vlerëson se, në këtë moment, nuk ka marrëveshje më të mirë në dispozicion. Ky është një hap i rëndësishëm përpara”, tha Hovenier në një takim me gazetarët, të mërkurën në Prishtinë.
Ai tha se fokusi kryesor tani duhet të jetë te “zbatimi i suksesshëm dhe efektiv” i planit.
Nëse Kosova kontribuon në mënyrë konstruktive në këtë drejtim, tha Hovenier, SHBA-ja “do t’i ripërtërijë përpjekjet” për ta ndihmuar vendin që t’i bashkohet Partneritetit të NATO-s për Paqe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, për të diskutuar zbatimin e planit 11-pikësh të BE-së.