Hovenier: S’ka shumë entuziazëm në SHBA për ta mbështetur anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se nuk ka parë shumë entuziazëm në SHBA për të mbështetur Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Ai, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se kanë bërë përpjekje për Këshillin e Evropës por shtoi se Kosova nuk tregoi vullnet që ta dërgojë draftin e Asociacionit në Kushtetuese.
“Nuk kam parë shumë entuziazëm në mbështetje të përpjekjeve të Qeverisë tani për anëtarësime të reja në organizatat ndërkombëtare. Kemi bërë përpjekje të vërteta për Këshillin e Evropës, por Kosova pastaj nuk tregoi vullnet për të ndërmarrë hapin që partnerët e saj evropianë dhe ne ia kërkuam, që të dërgonte draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së tij.”
Ai tha se fakti që ende asociacioni nuk është dërguar në Kushtetuese, e ka zbehur entuziazmin e Qeverisë amerikane që të vazhdojë përpjekjet që Kosova të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare.
“Nuk ka ndodhur ende dhe fakti që nuk ka ndodhur, më duhet të them, e ka zbehur entuziazmin e Qeverisë amerikane për t’i vazhduar këto përpjekje, përderisa Kosova nuk do ta ndërmarrë madje as këtë, sipas këndvështrimit tonë, hap mjaft të vogël dhe të hershëm në këtë proces.”