Hovenier viziton selinë e PDK-së, Krasniqi: Zgjedhjet e parakohshme, alternativa e vetme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur në selinë e partisë ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Krasniqi ka bërë me dije se situata aktuale politike, qëndrimet e PDK-së në raport me to dhe veprimet e nevojshme përpara, drejt rikthimit të Kosovës në kursin pa alternativë euro-atlantik, ishin tema të diskutimit me ambasadorin amerikan.
“Për PDK-në, siç kemi thënë nga fillimi, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, të cilat përtej dëmtimit të progresit dhe imazhit të vendit, i sollën Kosovës edhe sanksione nga partnerët kryesorë ndërkombëtarë, janë tërësisht të papranueshme. Ky nuk është vullneti i qytetarëve dhe ajo për të cilën ata kanë votuar, rrjedhimisht, Ambasadorit amerikan i shpreha qëndrimin që Kosova të mos vuaj masa ndëshkuese për shkak të kryeneçësisë politike të një individi”, ka thënë Krasniqi pas takimit.
Ai ka theksuar se PDK-ja vlerëson se kjo qeveri e ka humbur rrugën e duhur, njëkohësisht edhe kredibilitetin e saj, prandaj thotë se zgjedhjet e parakohshme janë alternativa e vetme.
“Ambasadorin amerikan e falënderova për përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm në interes të shtetit dhe qytetarëve tanë dhe e sigurova se PDK-ja do të angazhohet fuqishëm që përmes të gjitha mjeteve demokratike, të luaj rrolin e saj konstruktiv në shërbim të këtij interesi”, ka deklaruar Krasniqi.