Hovenieri: Armët që janë përdorur në sulmin e 24 shtatorit është e pamundur të sigurohen në tregun lokal
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të marrin masa pasi të vërtetohet se kush qëndron pas sulmit të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të veriut të Kosovës”.
Kështu ka thënë ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier në një intervistë për “Zërin e Amerikës” që do të transmetohet sot.
Sipas një pjese të shkurtër të shkëputur nga kjo intervistë, Hovenier ka thënë se armët që janë përdorur në sulmin e 24 shtatorit është e pamundur të blihen në tregun lokal.
“Individët që kryen sulmin, kishin armë që nuk mund të bliheshin në tregun lokal, por duhet një formë strukture shtetërore që ti ofrojë ato”, citohet të ketë thënë Hovenier, derisa ka ritheksuar kërkesën që Serbia duhet të bashkëpunojë në ndriçimin e plotë të ngjarjeve dhe vënien e autorëve para drejtësisë.
“24 shtatori tregoi se nuk kemi kohë për të humbur dhe se duhet ecur përpara urgjentisht me arritjen e mirëkuptimit të përbashkët se si të zbatohen plotësisht në mënyrë efektive detyrimet që janë marrë përsipër nga Kosova dhe Serbia, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe në Ohër. Zbatimi i saj është një nga mënyrat për të rritur sigurinë e Kosovës”, ka thënë ai.