Hovenieri deklarohet për ndërhyrjen e NATO-s: Kishin shteruar të gjitha alternativat për të ndalur gjakderdhjen
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se NATO ka nisur bombardimet në mars të 1999 për shkak të veprimeve gjenocidale, të tmerrshme siç është masakra e Krushës së Madhe.
Ai është shprehur në ngjarjen përkujtimore të viktimave të kësaj masakre, se si aleancë ishin bërë bashkë me NATO-n për të intervenuar, meqë kishin shteruar të gjitha alternativat për të ndaluar gjakderdhjen.
“Vetëm një ditë pasi NATO-ja filloi fushatën e saj për t’i dhënë fund fushatës së tmerrshme të spastrimit etnik, forcat e Millosheviqit hynë në këtë fshat dhe vranë mbi 250 civilë të pafajshëm. NATO veproi pikërisht për shkak të veprimeve të tmerrshme si ky që kishte ndodhur këtu”.
“Me të vërtetë, si aleancë, ne u bëmë bashkë për të vepruar, për të reaguar, vetëm pasi i kishim shteruar të gjitha alternativat për ta ndalur gjakderdhjen”, ka thënë Hovenieri.
Me këtë rast, ambasadori amerikan, ka përmendur edhe fjalët e atëhershme të sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, ditën kur ndodhte masakra.
“Të njëjtën ditë, sekretarja e atëhershme e Shtetit, Madeleine Albright tha: ‘E kemi të pamundur të negociojmë përderisa Millosheviqi shton numrin e forcave, i sulmon civilët dhe i djegë fshatrat në Kosovë’. Aksionet e NATO-s kanë qëllim ta mbështesin paqen dhe sigurinë në Evropë dhe t’u japin fund mizorive dhe krizës humanitare”, ka thënë ambasadori amerikan.
Ambasadori Hovenier është shprehur i nderuar të jetë në mesin e të pranishmëve për të përkujtuar të gjithë ata që humbën jetën 25 vjet më parë nga gjenocidi serb.
“Shumë prej më të dashurve tuaj janë ende të pagjetur”, ka thënë Hovenieri.