Hovenieri flet për raportet me qeverinë Kurti

24 maj 2024 | 08:10

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur mbrëmë edhe për raportetet me qeverinë Kurti. Ai tha se s’është sekret se Qeveria e ShBA-së dëshiron të shohë bashkëpunim më të ngushtë në disa fusha.

Për këtë ai ka marrë shembull aksionin e fundit në veri të vendit, ku u mbyllën gjashtë njësi ilegale të së ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’. Sipas Hovenierit, ky aksion u krye në një mënyrë jo të koordinuar nga qeveria dhe vuri në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për zgjidhjen e disa çështjeve në dialog.

“Pra, nuk është kurrfarë sekreti se qeveria e Shteteve të Bashkuara dëshiron të shohë në disa fusha bashkëpunim më të ngushtë me qeverinë e kryeministrit Kurti. E themi hapur këtë dhe më lejoni vetëm një shembull të fundit. Unë nuk kam planifikuar domosdoshmërish të flas për këtë, por ka pasur edhe një çështje tjetër pikërisht këtë javë në të cilën Policia e Kosovës, me udhëzimin e Ministrit të Brendshëm, kreu operacione në veri të Kosovës në mënyra që ne menduam se nuk kontribuuan në synimet tona afatgjata të përbashkëta për stabilitetin dhe sigurinë që gjërat të bëheshin në një mënyrë që çojnë përpara dialogun dhe rrugën euroatlantike të Kosovës”, ka deklaruar Hovenier në një intervistë për RTK.

Si rrjedhojë tha se erdhën edhe deklaratat publike, ku u vlerësua se kjo nuk është mirë për Kosovën.

“Por, rezultati i këtij operacioni që qeveria e vijoi – dhe e bëri këtë veprim policor në një mënyrë që ne menduam se nuk ishte i koordinuar dhe që vinte në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për zgjidhjen e disa çështjeve në dialog – rezultoime deklarata publike nga Shtetet e Bashkuara, nga Bashkimi Evropian, shtetet individuale anëtare të BE-së, misioni i NATO-s, misioni i OSBE-së, të tjerët – të gjithë pak a shumë thanë të njëjtën gjë: kjo nuk është mirë për Kosovën”, deklaroi ambasadori amerikan.

Hovenier tha se nëse Kosova dëshiron të ecë drejt strukturave evropiane dhe euroatlantike, ajo duhet të kenë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, shteteve individuale të BE-së, misionit të OSBE-së dhe NATO’s.

“Pra, ne duam që qeveria të punojë me ne. Ne pajtohemi me përgjegjësinë e qeverisë për të ushtruar sovranitet mbi tërë territorin e saj. Në këtë rast, ne jemi dakord që Banka Qendrore duhet të rregullojë institucionet financiare, por mënyra se si bëhet kjo duhet të jetë koordinim me ne për t’u siguruar që veprimet nuk vënë domosdoshmërish në pikëpyetje ose nuk pengojnë diskutimet e vazhdueshme në dialog apo nuk krijojnë sfida apo japin sinjale shtesë për një komunitet pakicë. Ne duam atë nivel bashkëpunimi. Shpresoj se do ta kemi atë, por duhet të them se më është dashur ta them këtë disa herë dhe nuk e kam parë ende atë rritje në bashkëpunim që shpresojmë ta shohim”, ka thënë Hovenier.

Tutje, ai tha se se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova gëzojnë një marrëdhënie të veçantë dhe se për këtë janë krenarë.

“Është një marrëdhënie e veçantë dhe për shkak se është një marrëdhënie e veçantë, si dhe për shkak se jemi miq kaq të mirë, siç tha edhe nënsekretarja Allen gjatë fundjavës, ndonjëherë duhet të kemi biseda të vështira dhe bisedat e vështira ndonjëherë janë më të vështira brenda familjeve ose me të dashurit sesa me të tjerët. Por, është edhe shenjë respekti që t’i kesh këto biseda të vështira që i bëjmë gjatë gjithë kohës”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot do të mbahet seanca e rigjykimit për vrasjen e…