Hovenieri insiston në shtyrjen e vendimit për dinarin: Shpresojmë që qeveria të jetë partnere me ne
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, e ka përsëritur të hënën kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Ai i ka bërë këto deklarata, pas një takimi që ka zhvilluar të hënën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe diplomatë tjerë të huaj.
Rregullorja e BQK-së që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt parasheh që valuta e vetme për kryeje të pagesave në Kosovë të jetë euroja.
Kështu, serbëve të Kosovës u pamundësohet përdorimi i dinarit.
“Ne natyrisht se përkrahim përpjekjet për të shmangur krimet financiare, shpëlarjen e parave, financimin e terrorizmit dhe të ngjashme, por ne kemi shqetësime të thella për mënyrën e zbatimit të kësaj rregulloreje, pasi besojmë se nuk i merr parasysh disa shqetësime të komuniteteve”, ka thënë Hovenieri.
I pyetur nëse qeveria amerikane mund të marrë veprime kundër Kosovës, nëse nuk i përgjigjet kësaj kërkese, Hovenier ka thënë se “shpresojmë që qeveria të jetë partnere me ne”, duke shtuar që nëse ndodh e kundërta, kjo gjë “do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë”.
Hovenieri ka thënë se ndonëse Shtetet e Bashkuara e mirëpresin vendimin e Kosovës për respektim të Kushtetutës së vendit, ShBA-ja beson që duhet të ketë periudhë edukuese për rregulloren e re.
Kur është pyetur për reagimin e qeverisë ndaj kërkesës së tij dhe faktorit ndërkombëtar, Hovenieri ka thënë se “do t’i lë ata të flasin” në këtë drejtim.
“E lë qeverinë të flas për atë se sa janë të përgatitur për të rikonsideruar se si do ta zbatojnë këtë rregullore. ShBA-ja kërkon shtyrje, më shumë punë të bëhet në zbatimin e saj që të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe të ketë mjaftueshëm kohë edukuese”.
“Në lidhje me veprimet e mundshme të ShBA-së, mund të them se ne shpresojmë që qeveria të jetë partner me ne këtu, kjo është çka duam, partneritet…ndërsa në atë se sa qeveria nuk dëshiron të jetë partner me ne në këtë çështje tejet të ndjeshme do të ketë ndikim në cilësinë e partneritetit tonë”, ka shtuar ai.