Hovenieri: Ndërhyrja e NATO-s ishte e drejtë dhe legjitime, ndalëm spastrimin etnik
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Jeffrey Hovenier, ka thënë se bombardimet e NATO-s ndaj caqeve dhe ushtrisë serbe 25 vjet më parë kanë qenë të drejta dhe legjitime. Ai ka thënë se bombardimet i kanë dhënë fund spastrimit etnik.
Këto komente, Hovenier i ka bërë të premten në konferencën e organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës, me temën: “Hartimi i Rrugës së Kosovës: 25 vjet pas operacionit të ‘Forcave Aleate’ dhe synimi për anëtarësim në NATO”.
Në fjalën e tij, Hovenier, ka tha thënë se 25 vjet më parë, bota dëshmoi për një fushatë të tmerrshme të spastrimit etnik të kryer nga regjimi i Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, derisa ka kujtuar bisedimet për paqe në Rambuje, të cilat përfunduan pa marrëveshje.
“Ne shterëm të gjitha përpjekjet dhe rrugët diplomatike për t’i dhënë fund brutalitetit të regjimit të Millosheviqit”.
“Siç tha presidenti Bill Clinton më 23 mars 1999, një ditë përpara se NATO të niste operacionin ‘Forcat Aleate’: ‘Nëse presidenti Millosheviç nuk është i gatshëm të bëjë paqe, ne jemi të gatshëm të kufizojmë aftësinë e tij për të bërë luftë me kosovarët’”, ka thënë Hovenieri.
Më tutje, ai ka thënë se derisa e shënojmë me solemnitet këtë 25-vjetor të fillimit të bombardimeve të NATO-s, “kujtojmë qindra mijëra njerëz të pafajshëm të dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe mijëra të vrarë ose të zhdukur”.
“Na vjen keq shumë për humbjen e jetëve të civilëve të pafajshëm, përfshirë ata që vdiqën gjatë operacionit të NATO-s”, ka thënë ai.
Hovenieri ka theksuar se pasi kanë shteruar të gjitha alternativat për të ndaluar gjakderdhjen, “NATO kishte një imperativ moral për të vepruar – dhe ne e bëmë”.
Dhe përdorimi i forcës në këtë rast, Hovenieri ka thënë se “ishte i domosdoshëm dhe legjitim, duke pasur parasysh krizën humanitare që bota po shihte të shpalosej në kohë reale”.
“Siç shpjegoi më tej presidenti Clinton në atë kohë: ‘Ne veprojmë për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga një ofensivë ushtarake në rritje. Ne veprojmë për të parandaluar një luftë më të gjerë… ne veprojmë për të qëndruar të bashkuar me aleatët tanë për paqe’”.
“Shtetet e Bashkuara mbështetën fushatën 78-ditore të NATO-s për të dëbuar forcat e Millosheviqit nga Kosova dhe për t’i dhënë fund spastrimit etnik, duke kontribuar në mijëra fluturime ajrore ndërsa ne vazhduam të rrisnim presionin diplomatik”, ka thënë Hovenieri.
Operacioni i “Forca Aleate”, ka pohuar ambasadori amerikan kishte hapur rrugën për përfundimin e armiqësive dhe krijimin e kushteve për kthimin e refugjatëve të të gjitha etnive që e quajnë Kosovën në shtëpi.
“Njëzet e pesë vjet më parë, NATO veproi për të avancuar atë vizion për Evropën; ne vazhdojmë të punojmë sot për ta arritur atë”.
“Dua të rikonfirmoj përkushtimin tonë për të siguruar që ngjarjet e tmerrshme që ndodhën në Kosovë 25 vjet më parë të mos përsëriten më kurrë”, ka thënë ai, duke shtuar se ShBA-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur rolin e vazhdueshëm stabilizues të luajtur nga NATO.