Hovenieri: Në veri pati sulm të rëndë kriminal, pas grupit fshihet dikush
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ka ende gjëra që nuk dihen për sulmin e së dielës në veri.
Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Hovenieri ka thënë se ky ishte një sulm i rëndë kriminal dhe se grupi që ka bërë sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri, ka qenë një grup i trajnuar dhe i organizuar në mënyrë profesionale.
Ai ka thënë se prapa këtij grupi fshihet dikush, por pa specifikuar ndonjë emër.
“Serbia nuk ka reaguar fare pas kësaj që ka ndodhur. Nuk mund të flas për pasojat ende, kanë kaluar 48 orë që nga sulmi. I dimë disa gjëra, por disa të tjera nuk i dimë. Ka qenë një sulm dhe incident shumë i madh. ShBA-ja po punon ngushtë me Kosovën. E dimë që ka qenë sulm nga një grup i trajnuar mirë me pajisje ushtarake. E dimë se janë vrarë disa nga sulmuesit e se disa kanë ikur”.
“Por, autoritetet serbe thanë se ata e kanë humbur forcën e se do ta përdorin këtë për sulme të tjera. Duhet t’i ruajmë energjitë, pajisjet që janë sekuestruar dhe strategjitë që po punojmë. Ky është një grup i trajnuar dhe i organizuar dhe është dikush pas tyre që i ka pajisur me armatim të rëndë. Ka pasur një koordinim të fortë mes Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it. Ky ishte një sulm i madh ndaj Kosovës me pasoja tragjike. Ne jemi me popullin e Kosovës dhe po punojmë që ata të dalin para drejtësisë”, ka thënë Hovenieri. /EO