Hovenieri: Qeveria të bëjë përpjekje për ta rritur numrin e grave në polici
Me rastin e 10-vjetorit të themelimit të Shoqatës së Grave të Policisë së Kosovës (ShGPK) është venë në theks rëndësia dhe të arriturat e këtyre të fundit në shërbimin e qytetarëve të Kosovës, për të krijuar siguri dhe rend. Gjithashtu është premtuar përkrahje e vazhdueshme nga përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë që gratë police të Kosovës të shtohen në numër dhe të arrijnë sa më shumë rezultate.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, tka thënë se besojnë se gratë janë thelbësore për suksesin e misionit të Policisë së Kosovës, për të mbrojtur dhe për t’u shërbyer qytetarëve të Kosovës.
Ai ka thënë se ShBA-ja e ka prioritet ndihmën ndaj sektorëve të drejtësisë penale të Kosovës.
Ambasadori Hovenier ka potencuar se globalisht nuk “po ecim mirë”, sa i përket përfshirjes së grave në polici dhe organe të tjera të drejtësisë. Ai ka theksuar se pret nga Qeveria e Kosovës që të vazhdojë përpjekjet për të rritur shifrën e grave pjesëmarrëse në polici.
“Duhet të jem i sinqertë, ne globalisht nuk po ecim shumë mirë për momentin. Rreth 15 për qind e policëve në mbarë botën janë femra, rreth 27 për qind e gjyqtarëve në mbarë botën janë femra. Më duhet të besoj se përbërja, përbërja etike e popullsisë globale nuk përputhet me ato shifra. Dhe situata në Kosovë pasqyron edhe statistikat, femrat aktualisht përbëjnë vetëm rreth 14 për qind të forcës policore të Kosovës, por ndoshta nuk kam nevojë t’ju them këtë, mendoj se ju e dini mirë. Pra, ne shikojmë nga Qeveria e Kosovës, ne shikojmë nga autoritetet e Kosovës. Kam shikuar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe ekipi i tij, që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të rritur këto shifra, sepse duke bërë kështu, ju do të përmirësoni sigurinë dhe drejtësinë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Dhe dua të ritheksoj se Shtetet e Bashkuara janë shumë, shumë të gatshme për të ndihmuar”, ka thënë Hovenieri. /KP