Hovenieri: Vendimi i Kosovës për dinarin ka ndikuar në marrëdhëniet tona
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se vendimi i Kosovës për ta zbatuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës
Duke folur të enjten për gazetarë në Prishtinë, Hovenier ka thënë se deklaratat e zyrtarëve amerikanë kanë qenë vazhdimisht të qarta se Kosova duhet ta shtyjë vendimin e zbatimit të rregullores.
“Ne kemi shpresuar se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti do të angazhohej, siç bëjnë partnerët, për ta zgjidhur këtë çështje se bashku, në vend se të merren veprime në mënyrë të njëanshme… ne jemi të shqetësuar që Qeveria e Kurtit nuk e ka bërë këtë. Çfarëdo sugjerimi se gjërat janë në rregull, se ne të gjithë ne pajtohemi me njëri-tjetrin, nuk është aspak e vërtetë. Ne jemi të shqetësuar dhe të frustruar dhe mendoj se toni i ndihmëssekretarit O’Brien e pasqyron këtë shumë qartë”.
“Më lejoni të theksoj sa problematik është ky moment saqë se qeveritë tona nuk duket se po punojnë në partneritet me njëra-tjetrën. Prandaj, dua që t’i shmangim gjëra të tjera si këto”, ka thënë Hovenieri
Deklaratat e ashpra të ambasadorit amerikan në Prishtinë vijnë një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tentoi t’i hedhë poshtë sugjerimet e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, se Kosova po e rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.
Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës – e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin – hyri në fuqi më 1 shkurt.