Hoxha, bisedë telefonike me Sholtesin: Kosova, e gatshme për e liberalizimin e vizave
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka folur sot përmes telefonit me raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën, Igor Sholtes, me të cilin ka diskutuar hapat e ardhshëm për procesin e liberalizimit të vizave duke pasur parasysh faktin se tashmë i gjithë procesi është në duart e institucioneve të BE-së pas plotësimit të kritereve nga ana e Kosovës.
Ministrja Hoxha e ka informuar Sholtes se Kosova është duke vazhduar reformat dhe zbatimin e MSA-së dhe ka kërkuar që procesi i vendimmarrjes sa i përket liberalizimit të vizave të përshpejtohet.
Ajo ka theksuar se qytetarët e Kosovës e kanë të qartë se janë në prag të liberalizimit të vizave dhe po presin me padurim lëvizjen e lirë.
Ministrja Hoxha po ashtu e ka njoftuar raportuesin për Kosovën për fushatën e vetëdijesimit për liberalizimin e vizave të cilën e ka filluar Ministria e Integrimit Evropian, me theks të veçantë informimin e qytetareve sa i përket asaj se çka nënkupton liberalizimi i vizave si dhe sanksionet që mund të pasojnë në rast të keqpërdorimit.
Tutje, ministrja Hoxha ofroi mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të institucioneve të vendit në mënyrë që procesi i vendimmarrjes të jetë sa më i shpejtë dhe pritshmëritë e qytetarëve për lëvizjen e lirë deri në fund të vitit të plotësohen.
Në anën tjetër, raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Sholtes e ka falënderuar ministren Hoxha për angazhimin e saj gjatë gjithë procesit, duke e siguruar se ka mbështetjen e plotë për të përshpejtuar vendimmarrjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Po ashtu Sholtes e ka njoftuar ministren për hapat e ardhshëm, për takimin e Komitetit LIBE më 29 gusht, ku liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë në agjendë dhe jemi optimist që të marrë dritën e gjelbër për të ecur tutje.
/Epoka e re/