Hoxha: Deputetët dëshmuan se prioritet i tyre është lëvizja e lirë e qytetarëve

21 mars 2018 | 19:57

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët kanë votuar pro ratifikimit të demarkacionit.

Ajo ka thënë se deputetët me këtë vendim kanë treguar se prioritet i tyre është lëvizja e lirë e qytetarëve.

Hoxha ka premtuar se në ditët në vijim, do të angazhohet maksimalisht me institucionet e BE-së për të konkretizuar hapat e mëtejmë drejt liberalizimit të vizave.

“Përshëndes vendimin e deputetëve të Republikës së Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Sot, me votën e tyre, deputetët që votuan pro, dëshmuan se prioritet i tyre është lëvizja e lirë e qytetarëve, dëshmuan se qytetari i Republikës së Kosovës është para interesave partiake dhe individuale. Sot deputetët qëndruan unik për interesin e qytetarit, pavarësisht përpjekjeve të shumta nga qarqe të brendshme e të jashtme për të penguar këtë proces dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, pengesë e cila edhe një herë e bëri Kuvendin e Republikës arenë gazi. Tani, na pret punë edhe më e madhe, të fokusohemi në tema tjera të rëndësishme për vendin. Ditëve në vijim, do të angazhohem maksimalisht me institucionet e BE-së për të konkretizuar hapat e mëtejmë drejt liberalizimit të vizave. Faleminderit deputetë të Republikës së Kosovës, sot na bëtë krenar!”, ka shkruar Hoxha në llogarinë e saj në “Facebook”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka…