Hoxha: Deri në fund të majit të zbatohen detyrat dhe obligimet e agjendës evropiane
Në mbledhjen e Qeverisë, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka ftuar kabinetin qeveritar, për zbatimin e prioriteteve të agjendës evropiane.
Ajo ka kërkuar që deri në fund të muajit maj t’i kryejnë detyrat dhe obligimet që dalin nga prioritetet e Agjendës për Reforma Evropiane.
Edhe Kryeministri Haradinaj u ka bërë thirrje kabinetit qeveritar që të ketë përkushtim maksimal dhe te secili ministër t’i kryejnë obligimet dhe t’i trajtojnë me seriozitet obligimet që kanë në resorët e tyre.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, së pari ka prezantuar çështjen me fokus në zbatimin e prioriteteve të agjendës evropiane, me aktivitetet prioritare që duhet të përfundohen gjatë muajit maj.
Ajo ka theksuar se shumica dërrmuese e këtyre aktiviteteve janë detyrime që dalin nga zbatimi i Agjendës për Reforma Evropiane (ERA). Pjesë e kësaj është edhe miratimi i strukturës organizative të KIESA-s dhe themelimi i Bordit të saj.
Ministrja Hoxha ka thënë se në kuadër të shtyllës së dytë të ERA-s, kërkohet promovimi i investimeve të huaja direkte.
“Kompletimi i strukturës koordinuese për Aktin e Biznesit të Vogël, i cili aktivitet ka për synim përmbushjen e prioritetit të katërt, në kuadër të shtyllës së dytë të ERA-s, kërkon mbështetjen e zhvillimit të NVM-ve. Gjithashtu të miratohet në qeveri plani i veprimit për zbatimin e Strategjisë për Luftimin e Ekonomisë Joformale, po ashtu, të përfundohet vlerësimi i rrezikut për sektorin e OJQ-ve”, ka deklaruar ministrja Hoxha, duke shtuar se institucioni përgjegjës për zbatimin e këtyre aktiviteteve është Ministria e Financave.
/Epoka e re/