Hoxha: Gratë me rol të rëndësishëm në biznes, do të përkushtohemi për fuqizimin e tyre
Ministrja në detyrë e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka vizituar kompaninë e produkteve të qumështit dhe akulloreve “Magic Ice”.
Aty Hoxha u takua me pronaren e kësaj kompanie, Suzana Kadriu-Aliu, e cila udhëheqë me këtë kompani tash e disa vjet.
Hoxha u shpreh se gratë kanë një rol shumë të fuqishëm në biznes dhe se duhet një përkushtim i madh për fuqizimin e këtyre grave në biznes.
“Suzana është një nga menaxheret më të suksesshme gra dhe me të vërtetë është një motivim për ne gratë që kemi detyra publike apo funksione publike që ti vizitojmë këto kompani për shkak të motivimit që marrim kur i vizitojmë dhe e shohim suksesin e grave dhe këtyre kompanive. Sot vizitova edhe prodhimin ku me të vërtetë është një nder i madh ta vizitojë këtë kompani, por në anën tjetër gjithashtu të jem dëshmitare e një kualiteti të lartë të prodhimeve vendore në këtë kompani”, tha ajo.
Me këtë rast ministrja Hoxha u ka bërë thirrje qytetarëve që të konsumojnë prodhime vendore, pasi që vlerëson se kualiteti i prodhimeve është i standardeve evropiane.
“Bëj thirrje për qytetarët që mos të konsumojnë produkte të huaja, por të konsumojnë produkte vendore, sepse kemi produkte që fare lehtë konkurrojnë me prodhimet e vendeve anëtare të BE-së dhe pse mos t’i fuqizojmë gratë apo kompanitë sikur që edhe zonja Suzana i menaxhon. Gjithashtu edhe t’i promovojmë prodhimet e Republikës së Kosovës. Ishte nder të njoftohem me zonjën Suzana ku në kompaninë që kjo drejton, gruaja ka një rol të fuqishëm jo vetëm kjo si menaxhere që i fuqizon gratë e tjera por gjithashtu edhe e mirë e kësaj është që këtyre grave u janë besuar detyra shumë të rëndësishme”, tha Hoxha.
Ndërsa pronarja e kompanisë “Magic Ice”, Suzana Kadriu-Aliu, tha se ajo si udhëheqëse e këtij biznesi, i jep shumë rëndësi avancimit dhe fuqizimit të grave që punojnë në këtë ndërmarrje, duke shtuar se gruaja është një shtyllë e shtëpisë shoqërisë.
“Magic Ice bën prodhimin e produkteve të gjitha prodhimeve të qumështit dhe akulloreve të gjitha llojeve. Unë si drejtuese e kompanisë i jap shumë rëndësi avancimit dhe fuqizimit të gruas pasi që siç e dimë gruaja është shtyllë e shtëpisë dhe e shoqërisë. Gratë i kryejnë punët me shumë nder dhe përkushtim. Me gra deri sot më ka ra rasti me pas punë në momentin që i kam dhanë grave një detyrë në atë moment nuk kam pas nevojë me u brengos se a ka me u krye ajo punë apo jo”, tha Kadriu-Aliu.