Hoxha: I kemi plotësuar kriteret për viza, BE-ja të kryej pjesën e vet
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar sot në Strasburg kryesuesin e Komisionit për punë të jashtme, siguri, mbrojtje dhe të drejtat e njeriut (AFET), njëherësh raportues pranë Parlamentit Evropian, David McAllister, me të cilin ka diskutuar për liberalizimin e vizave.
Ministrja Hoxha ka kërkuar përkrahje për liberalizimin e vizave nga McAllister dhe ka theksuar se Kosova ka zbatuar rekomandimet për liberalizimin e vizave, duke zbatuar ato një nga një nga udhërrëfyesi për liberalizim.
Ministrja ka vlerësuar lartë angazhimin e McAllister si dhe të Komisionit AFET, për inkurajimin e procesit të liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës, me theks të veçantë, të arriturat në përmbushjen e kushteve nga udhërrëfyesi.
Sipas ministres fushata e filluar rreth liberalizimit ka hasur në mirëkuptim tek qytetarët, duke marrë informacionet e duhura për respektimin e procesit si dhe të mirat e lëvizjes së lirë.
Ministrja Hoxha ka kërkuar nga McAllister që të procedohet sipas afateve dhe lëvizja e lirë të mos bëhet pengesë për zhvillimin e Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Ajo ka thënë se është radha e BE-së të kryej pjesën e vet pasi që Kosova i ka plotësuar kriteret dhe të dëshmojë se është partner kredibil.
/Epoka e re/