Hoxha i përgjigjet Sallahut: Ligji për mjekësi ligjore hyri në fuqi para se unë të isha ministre
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se ekspertët mjeko-ligjor janë kompensuar jashtëligjshëm nga Këshilli Prokurorial për 5 vjet, duke marrë kështu rreth 1 milion euro.
Ai në një konferencë për media, ka thënë se për këtë shkelje kishte pasur informacione edhe ish-ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.
Sipas tij, në vitin 2016 kishte hyrë në fuqi Ligji i ri për mjekësinë ligjore dhe ishin shfuqizuar të gjitha aktet nënligjore të tij, mirëpo “udhëzimi i bazuar në ligjin e vjetër ende vazhdon të jetë në fuqi”.
Lidhur me këtë çështje, ish-ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në një përgjigje për “Klan Kosova”, ka thënë që sipas saj, Ligji për Mjekësi Ligjore ka hyrë në fuqi para se ajo të ishte ministre.
“Ligji ka hyrë në fuqi në prill 2016, ndërsa unë jam emëruar në Ministrinë e Drejtësisë në korrik 2016, ku menjëherë kemi filluar me hartimin e ligjeve dhe akteve nënligjore te cilat kanë qenë në agjendën legjislative. Deri në shpërbërjen e Kuvendit që ka qenë rreth 9 muaj kemi dërguar në Kuvend 8 ligje duke përfshirë edhe Kodin Penal dhe ligje te tjera te rëndësishme. Sa i përket rastit në fjalë, ka qenë pjesë e rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit, të cilin rishikim e kam iniciuar unë qysh në fillim te vitit 2017 dhe pastaj ministrat tjerë kanë vazhduar këtë nismë”, ka thënë ajo.
Më tutje, Hoxha ka thënë që shpreson që ministrat që kanë ardhur pas saj “të kenë arritur t’i përmirësojnë këto zbrazëtira ligjore të cilat janë evidentuar dhe po vazhdojnë të evidentohen”.
“Pra, kanë qenë edhe tre ministra pas meje duke përfshirë ministren aktuale dhe të gjithë ata paskan pasur mosveprim atëherë, mirëpo vetëm emrin tim e paskan përmendur”, është shprehur Hoxha.