Hoxha kërkon konsensus nacional për integrimin evropian

02 shkurt 2018 | 14:27

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, është ftuar sot nga Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane ku ka diskutuar për strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor, komision të cilin e udhëheq deputetja, Blerta Deliu.

Ministrja Hoxha ka theksuar se strategjia për Ballkanin Perëndimor e Komisionit Evropian është paralajmëruar në kuadër të “Deklaratës së Synimeve” që është promovuar pas paraqitjes të presidentit të Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker në fjalimin vjetor para Parlamentit Evropian në shtator 2017.

Ajo ka thënë se asnjërit nga vendet tjera të rajonit, nuk i është prezantuar formalisht ndonjë draft i kësaj strategjie, prandaj sipas saj, është e parakohshme që të komentojmë përmbajtjen e saj deri sa të publikohet.

“Në kuadër shkëmbimeve të rregullta që kemi me institucionet e BE-se dhe vendet anëtare, i kemi prezantuar qëndrimet tona. Në këtë drejtim më lejoni të japë disa nga këto qëndrime. Procesi integrues i Kosovës ka pasur një avancim progresiv viteve të fundit. Kemi siguruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, jemi në prag të liberalizimit të vizave, kemi siguruar qasje në Programet e BE-së dhe jemi përfitues më të mëdhenj për kokë banori të asistencës së BE-së”, ka deklaruar Hoxha.

Ajo ka thënë se pret që strategjia ta njoh progresin e arritur dhe të konfirmoj avancimin e procesit integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian. “Jemi plotësisht të vetëdijshëm për kufizimet objektive, respektivisht mos njohjen nga 5 vendet anëtare të BE-së, por njëkohësisht jemi të bindur që nëse sigurojmë përmbushjen e detyrave të shtëpisë përmes zbatimin rigoroz të MSA-së, Bashkimi Evropian do të gjej mënyra për të avancuar më tutje procesin integrues të Kosovës”, është shprehur Hoxha.

Ministrja Hoxha, ka kërkuar nga deputetët që të nxirret një rezolutë e përbashkët nga Kuvendi me konsensus të të gjitha partive politike për të shprehur zotimin për të avancuar proceset e integrimit, sepse, integrimi evropian nuk ka alternativë.

“Duhet të bëhen reforma në drejtësi, ekonomi dhe administratë publike dhe institucionet e Kosovës. Duhet të flasin me një zë dhe të kenë një qëndrim të përbashkët – prioritet i politikave dhe ligjeve për MSA-në dhe ERA si konsensus ndërinstitucional”, ka deklaruar ajo.

Po ashtu Hoxha ka thënë se disa nga çështjet që priten të arrihen rezultate të prekshme janë në fushën e gjyqësorit, rritjen ekonomike dhe arsim më të mirë, si detyra që duhet edhe të argumentohen.

“Nuk duhet harruar që prioriteti i parë i institucioneve tona duhet të jetë zbatimi i reformave të gjithëmbarshme të parapara me MSA-në. Vetëm rezultatet e bindshme dhe progresi në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë do të vendos institucionet tona me një pozitë ku mund të kërkojmë më shumë nga ana e BE-së. Për momentin, topi është në anën tonë që t’i përfundojmë detyrat e shtëpisë, nëse më lejoni të shprehem në këtë mënyrë”, ka thënë Hoxha.

Ajo ka theksuar se Ministria e Integrimit, çdo muaj dorëzon raport pranë Komisionit për Integrim Evropian, por njëkohësisht dje u është dërguar për edhe raporti i  përmbledhur vjetor për vitin 2017.

Pas fjalës hyrëse, ministrja Hoxha iu ka përgjigjur edhe pyetjeve të anëtarëve të Komisionit për Integrim Evropian.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend…