Hoxha kërkon përmbylljen e procesit të liberalizimit gjatë presidencës austriake

27 shtator 2018 | 16:58

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur në takim ministrin Federal të Austrisë për çështjet e Bashkimit Evropian, Gernot Blumel me bashkëpunëtorë, i cili njëherësh përfaqëson presidencën austriake të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Hoxha ka falënderuar ministrin Blumel për mbështetjen austriake për Kosovën, në të gjitha fazat e shtetformimit dhe shtetndërtimit, duke u fokusuar në përkrahjen rreth liberalizimit të vizave si dhe fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale.

“Ne çmojmë jashtëzakonisht shumë kontributin dhe përkrahjen e Austrisë, në veçanti rreth liberalizimit të vizave. Ne tashmë kemi filluar fushatën informuese për këtë proces të rëndësishëm për Kosovën dhe qytetarët e saj. Ky është sukses i përbashkët me vendet mike si Austria e cila ishte vazhdimisht krah qytetarëve të Kosovës. Kosova ka nevojë për përkrahjen e mëtejme të Austrisë, sidomos në këtë fazë duke përshpejtuar vendimmarrjen për liberalizimin e vizave në mënyrë që ky proces të përmbyllet gjatë presidencës austriake”, ka deklaruar Hoxha.

Po ashtu, në këtë takim ministrja Hoxha ka theksuar përkushtimin për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe Agjendën Evropiane të Reformave, ERA 2, e cila parashikon vijimin e zbatimit të reformave me vëmendje të veçantë për reformën e administratës publike.

Ndërsa, ministri Federal i Austrisë për Bashkimin Evropian, Gernot Blumel, ka vlerësuar angazhimin e Kosovës për përmbushjen e kushteve nga udhërrëfyesi si dhe masave të MSA-së.

Ai ka ofruar përkrahjen e Austrisë në proceset që po kalon Kosova.

/Epoka e re/

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nën drejtimin e kryesuesit, Jeton Ujkani dhe në prani të…