Hoxha kërkon realizimin e MSA-së për këtë vit më së paku deri në 60 për qind
Në takimin e radhës të Komitetit Punues për Integrime Evropiane, ku morën pjesë anëtarët e këtij komiteti, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka kërkuar më shumë angazhim nga të gjitha institucionet për të përmbyllur me sukses implementimin e prioriteteve të mbetura të Agjendës Evropiane te Reformave si dhe masave të parapara me MSA-në.
Hoxha ka theksuar se ky grup punues, ka identifikuar disa nga çështjet kyçe që dalin nga obligimet e Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së (PKMZSA) për të cilat ka thënë se duhet punuar më shumë.
“PKMZSA, është i dobët, plani nuk është realizuar. Të gjeturat e raportit janë brengosëse. Jemi zotuar që këtë vit të arrijmë një nivel zbatimi të Programit të MSA-së prej të paktën 60 për qind. Mosrealizimi i planit, do të ketë ndikim për mbështetjen direkte buxhetore për Reformën e Administratës Publike”, është shprehur ajo.
Ministrja Hoxhaj ka bërë me dije se deri në fund të qershorit janë zbatuar vetëm 12.78 për qind e të gjitha masave të planifikuara.
Kurse sa i përket gjendjes së zbatimit të reformave legjislative, ajo ka thënë se të gjeturat tregojnë se kemi arritur një shkallë zbatimi prej vetëm 18.06%, pasi që janë zbatuar vetëm 26 nga 144 masat legjislative të planifikuara.
“Sa i përket zbatimit të reformave të tjera, të gjeturat tregojnë se është arritur një shkallë zbatimi prej vetëm 10.82%, pasi që janë realizuar vetëm 42 nga 388 masat zbatuese të planifikuara”, ka theksuar Hoxha, duke shtuar se vazhdimisht Ministria e Integrimit Evropian ka dërguar letra njoftuese për masat që secili institucion ka obligim në programin e MSA-së, dhe sërish rezultatin e kemi mjaft dobët.
“Komiteti punues ka karakter teknik, pas këtij takimi do ë mbledhim sërish Këshillin Ministror ku bashkë me Kryeministrin do të kërkojmë raportime nga Ministrat se ku qëndrojmë me zbatimin e programit”, ka thënë ajo.
Ministrja ka ftuar anëtarët e Komitetit Punues për Integrime Evropiane që të fokusohen të gjithë në masat për përmirësimin e zbatimit të programit të MSA-së, dhe të arrijmë zotimin prej 60%, edhe pse kanë mbetur vetëm pak muaj deri në fund të vitit.
Ministrja prezantoi edhe ekspertin e GIZ-it, Aleksandar Pejoviq, i cili sjell ekspertizën e tij dhe përvojat e Malit të Zi në proceset e integrimit dhe MSA-së, duke ftuar të pranishmit të përfitojnë nga përvoja e tij dhe praktikat e mira të vendeve të tjera.
Anëtarët e Komitetit Punues për Integrime Evropiane, referuan rreth angazhimit dhe përqindjes së realizimit të Planit Kombëtar të MSA-së për secilën ministri dhe agjenci të pavarur, duke shprehur sfidat e procesit, por edhe duke u zotuar se përqindja e zbatimit do të arrihet sipas zotimit.
/Epoka e re/