Hoxha komenton fitoren ndaj Dritës, flet edhe për ndeshjen ndaj Llapit
Yll Hoxha për “Epokën e re” ka thënë se, pas fitores kundër Dritës, Gjilani pret tri pikë të plota edhe kundër Llapit.
Skuadra e Gjilanit ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në derbin ndaj Dritës (0-2). Futbollisti që gjatë verës e përforcoi skuadrën e Gjilanit, Yll Hoxha, ka thënë të martën për “Epokën e re” se tri pikët e marra në derbin e fundjavës janë shumë të rëndësishme për faktin se rivaliteti mes dy klubeve është mjaft i madh. “Për ne ishte një ndeshje e rëndësishme duke pasur parasysh rivalitetin ndër vite dhe normalisht pikët ishin të rëndësishme. Realisht ne besojmë në potencialin që kemi dhe në secilën ndeshje luajmë për fitore”, ka deklaruar Hoxha.
Gjilani me tri pikët e reja është ngritur paksa në renditjen tabelore, por sot (e mërkurë) e pret një tjetër ndeshje e fortë, pasi do të përballet me Llapin. Hoxha ka thënë se, pavarësisht formës që po kalon klubi, i cili drejtohet nga trajneri Tahir Batatina, kualiteti nuk i mungon.
“Ndeshja e radhës për ne është mjaft e vështirë, pasi Llapi ka një skuadër tepër kualitative, por që ka mungesë të rezultateve në ndeshjet e para. Ne e vlerësojmë maksimalisht kundërshtarin, por do t’i hyjmë kësaj ndeshjeje me besimin më të madh për fitore”, ka thënë Hoxha, i cili me shumë sukses për vite me radhë ka djersitur fanellën e Feronikelit. Mbrojtësi i majtë ka qenë pjesë edhe e Prishtinës, Hysit, TPS-së, Kukësit, Flamurtarit dhe Vllaznisë së Shkodrës.
/Veton ZYMBERI/