Hoxha: Konkluzionet e KE-së nuk i kanë përmbushur pritjet e qytetarëve
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka reaguar ndaj konkluzioneve të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian.
Ajo ka vlerësuar se përfundimet e Këshillit të Ministrave të BE-së për Kosovën nuk i kanë përmbushur pritjet e qytetarëve.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se këto përfundime nuk jep afate kohore dhe qëndrime të qarta.
Postimi i plotë i ministres Hoxha:
Përfundimet e Këshillit të Ministrave të BE-së për Kosovën nuk përmbushin pritjet e qytetarëve tanë, sepse, nuk jep afate kohore dhe qëndrime të qarta, ngase, bëhet fjalë për disa nga 14 pikat, të cilat janë sfida dhe kërkojnë veprim të vazhdueshëm.
Ne kemi pritur dhe duam vlerësim objektiv, për liberalizimin e vizave, udhërrëfyesi i cili tashmë është vlerësuar për përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizim.
Rëndësia e liberalizimit të vizave, nuk përbën vetëm të drejtë themelore për qytetarët tanë, por edhe ndjenjë të përkatësisë dhe orientimit tonë jetik, brenda vlerave evropiane. Ndryshe, Evropa po risjell mundësitë e shfaqjes së prapakthimit të vlerave të arritura bashkërisht, sa të padëshirueshme për ne, aq edhe kërcënuese nga drejtimet jashtë vendeve të BE-së.
Vendi ynë, ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim, andaj, ky shqyrtim i serishëm i liberalizimit në Këshill, nuk presim të jetë as pezullues dhe as frenues për të arriturat tona. Prandaj, kërkojmë që të përshpejtohet ky proces, sepse qytetaret tanë po vazhdojnë të jenë të vetmit të izoluar në Evropë.
/Epoka e re/