Hoxha: Kosova dështoi të fuqizonte vizitën e evropianëve me mosratifikimin e demarkacionit
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se porositë e udhëheqësve të Bashkimit Evropian në vizitën e tyre sot në Kosovë gjatë turneut ballkanik ishin më se të qarta.
Sipas saj, u përsërit se ata janë të hapur për Kosovën e cila si rrjedhojë duhet të kryejë detyrat e veta.
Por, Hoxha deklaroi se me mosratifikimin e demarkacionit, Kosova dështoi të fuqizonte edhe më shumë këtë vizitë.
“U përsërit se dialogu dhe krejt procesi i integrimit evropian është një proces i cili varet nga meritat individuale të secilit shtet. Pra nëse ne arrijmë t’i plotësojmë detyrat tona atëherë dyert e tyre janë të hapura”, ka thënë ajo në “Rubikon” të “KTV”-së.
“Fatkeqësisht kishim seancën e cila do të krijonte një momentum të ri dhe ta shfrytëzonim këtë moment dhe ta bënim edhe më të fuqishme këtë vizitë”, shtoi ministrja Hoxha.