Hoxha: Kosova dhe Maqedonia të përfshihen në planet për zgjerim
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, është takuar me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, njëherësh përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.
Mbledhja e parë të komitetit të përbashkët për integrime evropiane në mes Kosovës dhe Maqedonisë, po bëhet në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim për çështjet në sferat e integrimit evropian.
Qëllimi i këtyre takimeve është shkëmbimi i përvojave në sferat e integrimit evropian mes dy vendeve.
Para fillimit të takimit, ministrja Hoxha ka theksuar se në këtë mbledhje të përbashkët, do të rikonfirmohet gatishmëria dhe zotimi i përbashkët i Kosovës dhe Maqedonisë, për rrugën drejt integrimeve evropiane.
“Jam e nderuar që sot së bashku me zëvendëskryeministrin Osmani të thellojmë bashkëpunimin, të harmonizojmë dhe koordinojmë lehtësimet për njëri-tjetrin, në procesin integrues. Jemi të përkushtuar që të zbatojmë synimet e vendeve tona dhe qytetarëve tanë, për procesin integrues. Kur jemi së bashku sfidat e proceseve nëpër të cilat po kalojnë vendet tona, janë më lehtë të përballueshme. Gjithsesi, jemi të vendosur në rrugën tonë, për proceset integruese duke qenë edhe kjo pjesë e Evropës, e integruar brenda vlerave dhe të arriturave evropiane”, është shprehur Hoxha.