Hoxha: Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës
Ministrja e Integrimit Evropiane (MIE), Dhurata Hoxha, ka thënë se Republika e Kosovës do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës brenda vitit 2018.
Ajo i ka thënë “Radio Kosovës” se ministria që drejton është përkushtuar për plotësimin e kritereve dhe reformave që nevojiten për këtë proces. Mirëpo, njohësit e këtyre çështjeve e konsiderojnë këtë si një tentativë të dështuar.
“Ministria e Integrimit ka filluar t’i bëjë përgatitjet që Kosova në bazë të agjendës evropiane të reformave të prodhojë rezultate, pra, t’i kryejmë obligimet tona. Edhe në kuadër të MSA-së, Kosova ka marrë përsipër një sërë veprimesh të cilat nënkuptojmë legjislacionin që duhet plotësuar dhe ndryshuar, si dhe reformat në fusha të ndryshme. Pra, të gjitha këto, ne duhet t’i bëjmë gjatë vitit 2018, më pastaj do të krijojmë një momentum dhe në koordinim të ngushtë me partnerët tanë dhe me zyrën e BE-së, të përgatisim aplikacionin e Kosovës për statusin e kandidatit”, ka thënë Hoxha.
Ministrja Hoxha ka thënë se aplikimi do të bëhet për faktin se vendi ka tri vite që ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe janë duke punuar për plotësimin e kritereve dhe reformave që nevojiten për këtë proces.
Por, njohësit e çështjes së Integrimit Evropian janë skeptikë sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ata mendojnë se ka edhe shumë për t’u bërë në këtë drejtim.
Sipas Avni Mazrekut, në Këshillin e Evropës ka shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe rrjedhimisht anëtarësimi në këtë organizatë bëhet edhe më problematik.
“Për t’u anëtarësuar një shtet në organizatën e Këshillit të Evropës, që është një organizatë që nuk ka asgjë të përbashkët me Bashkimi Evropian, është i nevojshëm qëndrimi i shteti. Ka shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovën, dhe duhet pasur parasysh që anëtare të Këshillit të Evropës janë shtete që e kundërshtojnë pavarësinë e vendit tonë, rrjedhimisht anëtarësimi në këtë organizatë bëhet edhe më problematik duke e pasur parasysh problemin e njohjeve nga disa prej shteteve anëtare të Këshillit të Evropës”, ka thënë Mazreku.
Ndërsa Gazmend Qorraj, përmes një përgjigje me shkrim, ka thënë se aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës është një tentativë e mirë, por, sipas tij, ka mundësi që të dështojë.
Këshilli i Evropës ka 47 vende anëtare dhe shërben si një institucion ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në mesin e këtyre vendeve disa janë që nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet dhe vazhdojnë ta kundërshtojnë pavarësinë e saj.