Hoxha: Kuvendi miratoi dy projektligje të rëndësishme për procesin integrues
Deputetët e Kuvendit të Kosovës të enjten kanë miratuar Projektligjin për ratifikimin e Plotësim-ndryshimit nr. 1 të Marrëveshjes financiare për IPA 2015 në mes Kosovës dhe BE-së si dhe Projektligjin nr. 06/L-078 për ratifikimin e Marrëveshjes bilaterale me Qeverinë e Dukatit të Madh të Luksemburgut në kuadër të projektit për bashkëpunim zhvillimor KSV/019 asistenca teknike në kontekst të integrimit evropian (2018-2022).
Prezantimi i këtyre dy projektligjeve është bërë nga ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha.
Ajo ka thënë se Marrëveshja financiare për IPA 2015, e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2016 ka pasur nevojë për plotësim-ndryshim për të modifikuar një nga mënyrat e zbatimit të projekteve.
Hoxha ka theksuar se kjo bëhet me qëllim që të mundësohet realizimi më i suksesshëm, sikurse është identifikuar nga ana e Zyrës së BE-së në Kosovë si autoritet kontraktues.
Sipas saj, të gjitha dispozitat e tjera të kësaj marrëveshjeje kanë mbetur siç kanë qenë.
Ndërsa në ekspozenë rreth shqyrtimit të Projektligjit nr. 06/L-078 për ratifikimin e Marrëveshjes bilaterale me Qeverinë e Luksemburgut për bashkëpunim zhvillimor KSV/019 asistenca teknike në kontekst të integrimit evropian (2018-2022), ministrja Hoxha ka theksuar qëllimin e marrëveshjes bilaterale që i kontribuon procesit të integrimit.
“Marrëveshja do të mbështesë kapacitetet për të përafruar legjislacionin tonë me atë të BE dhe zbatuar obligimet që dalin nga procesi i Stabilizim Asociimit në këto 9 fusha prioritare: lëvizja e lirë e mallrave, e drejta e themelimit dhe lëvizja e lirë e shërbimeve, prokurimi publik, e drejta e kompanive, pronësia intelektuale, politikat e konkurrencës, siguria e ushqimit, gjyqësori dhe të drejtat fundamentale, drejtësia, liria, dhe siguria dhe administrata publike”, ka deklaruar Hoxha, duke shtuar se granti ka vlerë prej 2 milion euro për 4 vite dhe përfshin programe trajnimi, asistencë me ekspertizë të jashtme, analizë të politikave dhe shkëmbim të përvojave, si dhe Ministria e Integrimit merr pjesë me një bashkëfinancim prej 100 000 euro.
/Epoka e re/