Hoxha: Liberalizimi i vizave më afër, tani gjithçka në duart e shteteve anëtare

14 shtator 2018 | 17:06

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, sot në një konferencë për medie ka folur për hapat e mëtutjeshëm në procesin e liberalizimit të vizave dhe për vendimin pozitiv të Parlamentit Evropian.

“E kam potencuar se në këtë proces do të kemi transparencë të plotë dhe qytetarët tanë do të njoftohen për të gjitha hapat deri në përmbylljen e këtij procesi të rëndësishëm për vendin. Dje Parlamenti Evropian me një shumicë solide aprovoi hyrjen në negociata për liberalizimin e vizave për Kosovarët. Ky aprovim në Parlamentin Evropian ishte edhe një hap tutje drejt lëvizjes së lirë për qytetarët tanë”, ka deklaruar Hoxha, duke përmendur hapat e ardhshëm pas votimit në Parlamentin Evropian.

“Votimi në Parlamentin Evropian i jep mundësi Këshillit të Ministrave që të miratoj heqjen e vizave për Kosovën. Sa i përket Këshillit të Ministrave të BE-së (institucion ky kryesor i BE-së që është nën Presidencën Austriake deri më 31 dhjetor 2018) vlen të theksohet që formati i cili vendos për liberalizimin e vizave është ai i Këshillit për Drejtësi dhe Punë të Brendshme (JHA) në të cilin ulen ministrat e drejtësisë që merren me bashkëpunimin juridik në çështje civile, penale dhe të drejta të njeriut, përderisa ministrat e punëve të brendshme merrem me migracion, menaxhim të kufirit dhe mes tjerash edhe me bashkëpunim policor”, është shprehur ajo.

Ministrja Hoxha ka theksuar se Këshilli i Ministrave të BE-së përbëhet prej disa strukturave duke filluar me grupet punuese (Working Parties), Komisionet, COREPER dhe formati i Ministrave.

“Më 17 shtator në kuadër të Këshillit të BE-së do të takohet Grupit Punues për Viza. Grupi punues për viza do të mbulohet nga Kryeqytetet e Shteteve Anëtare të BE-së dhe përbëhet nga ekspertë të Ministrive të Punëve të Brendshme. Grupi Punues për Viza kryesohet nga presidenca e këshillit në këtë rast nga presidenca Austriake. Kryesues aktual GP për viza nga presidenca Austriake është Karl-August Lux”, ka treguar  Hoxha.

Ajo ka bërë me dije se me 25-26 shtator COWEB do të vizitojë institucionet e Kosovës përkitazi me procesin e liberalizimit të vizave.

“Në këtë mision do të shikohet gjendja nga afër sa u përket reformave të Kosovës, specifikisht sundimi i ligjit dhe aspekte të lidhen me të. Inputet që merr ky mision do të orientojnë vendimmarrjen e strukturave të Këshillit të Ministrave, pra do të ndikojnë vendimmarrjen e së pari COWEB-it (Grupit për Viza) pastaj të COREPER dhe krejt në fund kjo do të ndikojë vendimin e Këshillit të Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë. Pas përfundimit të diskutimeve dhe votimit në COWEB dhe GP për Viza, nëse ka pëlqim, propozimi kalon në nivelin e COREPER-it ku ulen Ambasadorët e Shteteve Anëtare të BE-së. COREPER mblidhet 6 deri në 9 herë në muaj, p.sh. në shtator janë 7 takime, në tetor 6, në nëntor 9 dhe në dhjetor 6 takime. Formati i Ministrave të JHA mblidhet zakonisht në 3 muaj dhe takimet e mbetura janë ato më 11-12 tetor dhe 6-7 dhjetor . Në qoftë se Këshilli i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë votojnë për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës, atëherë dokumenti që nënshkruhet nga Këshilli dhe Parlamenti dhe publikohet në gazetën zyrtare të BE-së është Rregullore e Parlamentit Evropian dhe Këshillit e cila amandamenton Rregulloren Nr. 539/2001 e cila liston qytetarët e vendeve të treta të cilët duhet të kenë viza kur kalojnë kufijtë e jashtëm dhe qytetarët që janë të liruar nga ky kusht. Pas aprovimit në Këshillin e Ministrave dhe publikimit të Rregullores, hyrja në fuqi varet nga vendimi i këtyre institucioneve përkatëse”, ka deklaruar Ministrja Hoxha.

Sa i përket hapave të ardhshëm se çka mund të bëjnë institucionet e Kosovës, Hoxha ka thënë se tashmë Kosova ka plotësuar kriteret dhe gjithçka është në duar të shteteve anëtare.

Sipas saj, shtetet anëtare janë ato të cilat duhet t’i bashkohen Parlamentit Evropian dhe të vendosin për lëvizjen e lirë të qytetarëve.

“Është e rëndësishme të përmendet se e vetmja gjë që ne mund të bëjmë tani është fushata vetëdijesuese të cilën veç e kemi filluar. Kjo fushatë ka për qëllim vetëdijesimin dhe informimin e qytetarëve se çka është dhe çka nuk është liberalizimi i vizave në kuptimin e të drejtave dhe obligimeve. Edhe një herë më lejoni të them se ky proces do të kalojë në transparencë të plotë dhe qytetarët do të njoftohen për çdo zhvillim me kohë”, ka theksuar  Hoxha.

/Epoka e re/ 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica,  gjatë…