Hoxha: Liberalizimi i vizave brenda gjashtë muajve
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në një konferencë për media ka bërë me dije sot se institucionet e Kosovës kanë përfunduar detyrat për liberalizimin e vizave.
Sipas saj, përgjegjësia tani është në anën e institucioneve të Bashkimit Evropian.
Deklarata e ministres Hoxha vjen një ditë pas që Kuvendi i Kosovës ratifikojë Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Ajo është shprehur optimiste se qytetarët e Kosovës brenda këtij viti do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.
“Hapa që tani priten nga institucionet e Bashkimit Evropian janë: fillimi i negociatave për ndryshimin e rregullores 539/2001 në mes tri institucioneve kryesore Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit të Bashkimit Evropian, pastaj miratimi i rregullores në seancën plenare të Parlamentit Evropian, miratimi nga Këshilli i Ministrave, ceremonia e Këshillit dhe në fund publikimi në gazetën zyrtare dhe hyrja në fuqi. Ne presim që të gjitha këto procedura të mos marrin më shumë se gjashtë muaj duke u bazuar në praktika të vendeve të tjera që kanë marrë pjesë në procesin e liberalizimit të vizave”, ka deklaruar ministrja Hoxha.