Hoxha merr mbështetjen e Luksemburgut përmes projektit me vlerë 2 milionë euro
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mori pjesë në ceremoninë e lansimit të projektit të bashkëpunimit me Luksemburgun, për asistencë teknike në kontekst të integrimit evropian, 2018-2022, ku morën pjesë e ngarkuara me punë e Ambasadës së Luksemburgut, Anne Dostert dhe ambasadori i Norvegjisë, Per Strand Sjaastad si dhe zyrtarë të lartë të BE-së.
Ministrja Hoxha ka vënë në pah se është rritur angazhimi në zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane dhe Programit Kombëtar për MSA-në.
“Qëllimi është zbatimi efikas i MSA-së në veçanti dhe agjendës së integrimit në përgjithësi në mënyrë që të jemi të gatshëm për fazat e ardhshme të integrimit. Gjithashtu, synohet edhe forcimi i komunikimit duke mbështetur zbatimin e strategjisë tonë për komunikim dhe informim të procesit të integrimit”, ka thënë ministrja Hoxha.
Hoxha ka thënë se marrëveshja e bashkëpunimi në kontekst të integrimit evropian me Luksemburgun për mbështetje institucioneve të Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve për zbatimin e MSA-së në fusha prioritare është 2 milionë euro për katër vite, me 100,000 euro bashkëfinancim i Kosovës.
Mbështetje të ngjashme për nëntë fusha tjera Kosova është duke diskutuar me Norvegjinë, përfitues do të jenë jo vetëm Ministria e Integrimit por edhe institucionet tjera të vendit.
“Për ministrinë tonë, kjo iniciativë ka rëndësi të veçantë pasi që për herë të parë implementimi bëhet direkt nga Ministria e Integrimit përmes një mekanizmi për kapacitete dhe natyrisht me ndihmën e Agjencisë për Zhvillim të Luksemburgut dhe Ambasadës Norvegjeze në Kosovë. Pra, përveç forcimit të kapaciteteve për zbatim të MSA-së, mekanizmi do të ndikojë pozitivisht edhe në forcimin e kapaciteteve tona për menaxhim të fondeve dhe projekteve”, ka thënë Hoxha.
Ministrja Hoxha ka falënderuar Qeveritë e Luksemburgut, Agjencinë për Zhvillim të Luksemburgut si dhe Norvegjinë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre.
Njëkohësisht ka ftuar institucionet e Kosovës për mbështetje dhe angazhim në zbatimin me sukses të projektit në 4 vitet e ardhshme.
Ndërsa e ngarkuara me punë e Ambasadës së Luksemburgut Anne Dostert dhe Ambasadori i Norvegjisë, Per Strand Sjaastad, ka theksuar se përkrahja e Kosovës nga ana e tyre në procesin integrues nuk do të mungojë, duke vënë në dukje rëndësinë e zbatimit të MSA-së dhe Agjendën Evropiane të Reformave.
/Epoka e re/