
Hoxha: Ndeshje shumë e vështirë ndaj Anglisë, por japim maksimumin tonë
Përgatitjet për fushatën eliminatore të Botërorit 2026, të cilat e ngrenë siparin më 21 mars për kuqezinjtë tanë, pikërisht në mitikun “Wembley”, ndaj Anglisë së madhe, kanë nisur sot. Natyrisht, në seancën e parë nuk kanë qenë të gjithë kuqezinjtë e ftuar nga trajneri Sylvinho për dy kualifikueset e radhës, por grupi pritet të plotësohet deri në mbrëmje. Në konferencë për shtyp kanë dalë dy lojtarë të rinj, Arbër Hoxha dhe Julian Shehu.
Ndeshja me Anglinë?
Hoxha: Ndeshja e parë me Anglinë është e vështirë, duke marrë parasysh që kundërshtari ka lojtarë të klasit botëror. Ne do të shkojmë për të dhënë maksimumin, i dimë cilësitë dhe kualitetet tona. Shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv. Unë do të bëj më të mirën, sa minuta të kem në dispozicion.
1 vit në kombëtaren kuqezi, si ka shkuar ky rrugëtim për ty?
Hoxha: Besoj që ka qenë një vit shumë i mirë, sepse arritëm kualifikimin në Evropian. Do të bëjmë më të mirën gjithmonë dhe shpresoj që të kualifikohemi në Botëror.
Si po shkon sezoni me klubin tuaj?
Hoxha: Si çdo futbollist, ka ulje dhe ngritje, edhe unë jam një prej tyre. Kohët e fundit nuk kam pasur shumë ritëm në ndeshje. Ato minuta që kam pasur, jam munduar t’i shfrytëzoj në maksimum. Shpresoj që sa më shpejt të arrij formën dhe të kem sa më shumë minuta në dispozicion.
Si ju duket konkurrenca në kombëtare?
Hoxha: Në kombëtare, konkurrenca gjithmonë të bën më të fortë. Japim maksimumin për të marrë sa më shumë minuta.
A prisni ndonjë ndryshim në lojë me Anglinë?
Hoxha: Atë e vendos trajneri. Po presim edhe lojtarët e tjerë që të na bashkohen. Kemi katër ditë në dispozicion për t’u përgatitur taktikisht. Duam ta përgatisim ndeshjen sa më mirë.
A duhet të kemi pritshmëri në ndeshjen me Anglinë?
Hoxha: Po, normalisht që besojmë, kjo nuk diskutohet fare. Unë besoj se grupi ka kualitet për të arritur një rezultat pozitiv.