Hoxha: Në fund të vitit Kosova aplikon për statusin e vendit kandidat në BE
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka bërë me dije së deri në fund të vitit 2018, Kosova do të kandidojë për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkim Evropian.
Ajo ka thënë për “Epokën e re” se deri n` vitin 2020 do ta marrin statusin e vendit kandidat.
“Plani i Qeverisë dhe objektivat e integrimit evropian janë të njohura. Ne e kemi bërë shumë të qartë realizimin e këtij plani qeverisës sa iu përket integrimeve evropiane. Do të kandidojmë për statusin e kandidatit deri në fund të vitit 2018 në Këshillin Evropian dhe presim ta marrim statusin e vendit kandidat deri në vitin 2020. Sidoqoftë, edhe pse kjo është ambicioze, unë mendoj se ne kemi gatishmëri dhe vullnet politik. Me përkushtimin e institucioneve legjislative dhe ekzekutive vendit tonë mund t’i hapim perspektivë në shërbim të së tashmes dhe të ardhmes tonë euroatlantike”, ka thënë Hoxha.
Pavarësisht kësaj, ministrja Hoxha, ka thënë se nuk mund të kandidojmë për statusin e kandidatit nëse nuk arrijnë progres në procesin e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) dhe nëse nuk arrijnë progres në implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).
“Pra të dyja këto procese janë pikat tona të forta dhe ne duhet t’i shfrytëzojmë në funksion të progresit tonë të gjithëmbarshëm dhe të reformave të ndërmarra në funksion të aplikimit të vendit për statusin e kandidatit. Duhet të prodhojmë rezultate në këtë proces dhe konsideroj se jemi gati. Kemi dije dhe vullnet. E kemi edhe përkrahjen ndërkombëtare. Rrugë tjetër nuk kemi”, ka deklaruar Hoxha.