Hoxha në Slloveni: BE-ja ta njoh progresin e shteteve të Ballkanit Perëndimor

12 tetor 2018 | 16:24

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare në Maribor të Sllovenisë, “Parlamenti i Adriatikut” ku po marrin pjesë personalitete nga të gjitha vendet e Ballkanit.

Ministrja Hoxha po merr pjesë në panelin me temën “Ku është BE: Zgjerimi në fokus” ku së bashku me ekspertët e rajonit do ta trajtojnë këtë temë.

Me këtë rast ajo ka theksuar se është koha e fundit që BE-ja të zgjerohet me vendet e Ballkanit Perëndimor sepse nga kjo përfiton edhe vetë BE-ja.

Ministrja Hoxha po ashtu është fokusuar në nevojën që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e dinamikës së zgjerimit dhe sfidat brenda BE-së të mos ndikojnë negativisht në planet e zgjerimit.

“Strategjia e Zgjerimit e cila u publikua muaj më parë dha një mesazh të qartë për perspektivën evropiane të kësaj pjese të Evropës e cila është më se e mirëpritur në të gjitha vendet duke na inkurajuar në të njëjtën kohë për të ndërmarrë reformat e nevojshme drejt integrimit. Ajo që është e rëndësishme për vendet e Ballkanit është të kemi një gjuhë më të qartë dhe më specifike mbi perspektivën evropiane. BE-ja gjithashtu duhet të mbajë fjalën dhe të kryej pjesën e vet të obligimeve”, ka deklaruar ministrja Hoxha.

Sipas saj, ndër vlerat fundamentale të BE-së është edhe fqinjësia e mirë dhe perspektiva e përbashkët zhvillimore, ekonomike, arsimore, tregtare, transportit, konkurrueshmërisë, ambientit dhe sferat tjera por edhe përball trendëve negativ global, siç janë papunësia, varfëria, epidemitë, ngrohja globale apo terrorizmi.

Mikpritës i Parlamentit të Adriatikut është presidenti slloven Borut Pahor dhe konferenca do të nxjerr përfundimet e saj me rekomandime për BE-në për çështjen e zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor.

/Epoka e re/ 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Luana Vjollca është shumë aktive në “Instagram” prej ku publikon…