Hoxha në takim me ambasadorët e BE-së: Ne duhet t’i kryejmë detyrat tona

17 qershor 2019 | 13:27

Për Kosovën procesi i integrimit evropian nuk është një alternativë, por është rruga që kemi zgjedhur dhe ne duhet të kryejmë detyrat tona për të shënuar progres. Kështu ka deklaruar ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në takim me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ambasadorët e vendeve të BE-së në Kosovë, ministrat e Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues tjerë në diskutimin rreth raportit për vendin 2019.

Ministrja Hoxha e ka cilësuar raportin si avancim në procesin integrues, por ka thënë se dinamika e tij do të duhej përshpejtuar.

Ajo ka njoftuar të pranishmit se Ministria e Integrimit Evropian menjëherë pas publikimit të raportit për vendin kishte ndërmarrë hapat e nevojshëm duke identifikuar të gjitha mangësitë, boshllëqet dhe rekomandimet e raportit për vendin duke ua përcjellë ato institucioneve përgjegjëse për veprime të mëtutjeshme dhe menjëhershme.

Po ashtu, Hoxha ka njoftuar të pranishmit për takimin që kishte pasur me kryeministrin Haradinaj në formatin e takimit të Këshillit Ministror për Integrime Evropiane (KMIE) më 3 qershor 2019 për të diskutuar mbi të gjeturat dhe rekomandimet e raportit si dhe adresimin e tyre nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Më tej ministrja Hoxha ka informuar të pranishmit se për raportin për vendin  kishte raportuar para Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian, kishte organizuar dhe një konferencë për media për të informuar qytetarët mbi gjetjet e raportit si dhe kishte organizuar takimin e rregullt të Nënkomisionit për Drejtësi, Liri dhe Siguri (strukturë e MSA-së) ku ishin trajtuar në detaje arritjet dhe sfidat që duhet adresuar në fushën e sundimit të ligjit dhe sigurisë në përgjithësi.

“Ne planifikojmë të mbajmë mbledhje mujore të Këshillit Ministror për Integrim Evropian (KMIE) për të monitoruar zbatimin e gjetjeve dhe rekomandimeve që rrjedhin nga raporti për vendin”, ka theksuar ministrja Hoxha, duke shtuar se  institucionet duhet të reflektojnë për raportin dhe të vijnë me koordinimin më të mirë, bashkëpunimin dhe afatet fikse ku nuk ka vonesa.

Ministrja Hoxha ka shprehu përkushtimin e saj në dinamizimin e mëtejmë të procesit të integrimit evropian në të gjitha drejtimet e mundshme me qëllim të avancimit të mëtejmë në këtë proces të pa alternativë për Kosovën.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizuar nga Shoqata e artistëve figurativ në Mitrovicë ka nisur…